Në kuadër të orientimit për karrierë të nxënësve maturantë, në Gjimnazin “Natyror Xhavit Ahmeti” kanë qëndruar drejtues të Kolegjit AAB, dr. Shemsedin Vehapi, drejtor për zhvillim dhe promovim në Kolegjin AAB dhe dr. Arben Maliqi, ligjërues të cilët kanë takuar drejtorin e gjimnazit Bekim Mustafa dhe këshilltarin për karrierë, Enver Sadiku.
Dr. Shemsedin Vehapi, ka theksuar se sivjet Kolegji AAB feston 25- vjetorin e themelimit, andaj ndër synimet e veta ka që të tërheq nxënësit më të mirë, me qëllim që ata me njohuritë që marrin të dalin sa më mirë në profesion.

Siç ka theksuar dr. Vehapi, sivjet kolegji AAB do të nis me programe të reja, kryesisht nga fusha e TIK-ut dhe shkencat mjekësore, drejtimi këto që tërheqin më së shumti vëmendjen e nxënësve të gjimnazeve natyrore. Ai ka theksuar se programet të reja janë si Siguria Kibernetike, programimi, programimi I lojërave kompjuterike dhe programe që kanë të bëjnë me inteligjencën artificiale, derisa edhe në fushën e mjekësisë ka programe të reja si në infermieri, stomatologji, teknik dentar, logopedi e programe të tjera, pa harruar edhe programe në shumë fusha të tjera dhe mundësitë për të fituar bursa në kolegjin AAB.
Ngjashëm është shprehur edhe dr. Arben Maliqi, ligjërues I Kulturës Fizike dhe Sportit në Kolegjin AAB, I cili ka theksuar se janë të hapur për bashkëpunim në të gjitha fushat dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka theksuar se duhet të investohet në Shkollat e Mesme, ngase prej aty prite të dalin gjeneratat e ardhshme profesioniste në Kosovë dhe se sa më të forta që të jenë shkollat e mesme, aq më të mirë do të jenë studentët nëpër universitetet e ndryshme.
“Të krijojmë kushte më të mira nëpër shkolla për të mësuar, ngase e ardhmja e jonë do të jetë më e mirë”, ka thënë drejtori Bekim Mustafa, që ka shtuar se Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” është një ndër shkollat elitare në Kosovë, shkollë që ka nxjerrë nxënës shumë të mirë dhe që kanë shkëlqyer në garat vendore e ndërkombëtare, kurse këta nxënës gjithherë radhiten ndër të parët gjatë regjistrimeve nëpër fakultete brenda dhe jashtë vendit.





