U mbajt Akademi dhe u varros profesori e atdhetari i shquar
Rafet Bajrami, luftëtar i paepur i çështjes kombëtare
Në nderim të jetës dhe veprës së Rafet Bajramit, ish-veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, i cili ka ndërruar jetë ditën e djeshme, në Gjilan është mbajtur një Akademi Përkujtimore, në të cilën për jetën dhe veprimtarinë e Rafet Bajramit kanë folur Bujar Nevzati, këshilltar komunal, Nijazi Musmurati dhe Bejtush Isufi, bashkëveprimtarë të Rafet Bajramit, shkruan kryelajmi.com.
Bujar Nevzati ka theksuar se Rafet Bajrami ishte më tepër se një mësues dhe intelektual, ngase ai ishte një udhërrëfyes, njeri i urtë e i mirë dhe me një kulturë të lartë, sikurse që ishte edhe një atdhetar i devotshëm që i qëndroi çështjes kombëtare me përkushtim të pashoq.
“Në kushtet më të vështira, profesori Rafet ishte njeriu që dinte të jepte drejtim, të jepte shpresë e të ngre moralin kur të tjerët hezitonin. Ai nuk kërkoi kurrë lavdi, por lavdia e veprës së tij është ajo që sot na nderon”, ka theksuar Bujar Nvezati, duke shtuar se këtyre parimeve ai i qëndroi besnik deri në ditët e fundit.
Siç theksoi Nevzadi, profesori Rafet jo vetëm që la një trashëgimi të shquar në arsim, në shoqëri dhe në jetën publike, por ai mbetet një figurë që gjithmonë do të kujtohet përherë me mirënjohje.
Nijazi Musmuarati, bashkëveprimtar i Rafet Bajramit, ka theksuar se ai ishte atdhetar, intelektual, veprimtar i hershëm çështjes kombëtare për lirinë e së cilës la vepra të pashlyeshme.
Pasi ka folur për biografinë e Rafet Bajramit, ai tha se që në vitin 1962 profesor Rafeti ishte diferencuar nga regjimi i atëhershëm me pretekstin se kishte kënduar këngë nacionaliste e në pranverën e atij viti, bashkë me shokë kishte shkruar dhe shpërndarë parulla nacionaliste ku kërkohej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë e bashkë me Rexhep Elmazin e Isa Bajramin në vitin 1964 i ishin bashkuar Lëvizjes së Rinisë së Bashkuar Shqiptare me të madhin Adem Demaçi. Më pas, pas rënies së nacionalistit serb Aleksandër Rankoviq, kur shqiptarët frymuan më lirshëm, ai u punësua në Shkollën Fillore “Musa Zajmi” dhe në Shkollën Normale “Skënderbeu”, për t’u bërë më pas këshilltar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e në vitin 1976 iu ndalua të punojë në arsim. Në vitet e nëntëdhjeta serish punoi këshilltar arsimor dhe ishte udhëheqës i Komisionit për të Drejtat dhe Liritë e njeriut. Profesori NIjazi Musmurati evokoi kujtime për kohën sa ishte nxënës i Rafet Bajramit, duke e cilësuar një mësimdhënës të shkëlqyer, një pedagog të urtë e të afërt, bashkëpunues dhe jo përjashtues.
Me pietet të lartë për profesorin e atdhetarin Rafet Bajrami ka folur edhe bashkëveprimtari i tij Bejtush Isufi, i cili atë e ka cilësuar luftëtar të paepur të çështjes shqiptare, njeri aktiviteti i të cilit ishte në të mirë të atdheut dhe të popullit të vet, andaj kujtimi për të do të mbetet i përhershëm ndër gjenerata.
“Ai, që herët zgjodhi rrugën e sakrificës dhe të luftës me të keqen, siç kishin bërë para tij shumë prej të ndriturve të kombit. Kishte zgjedhur luftën për dritën, për dijen, për drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin. I riu, si zakonisht do të zgjedh përckatimin e tij në rradhë të parë nga ajo që ka trashëguar, prandaj edhe Rafet Bajrami zgjodhi rrugën e të atit Hafëz Rashit Bajrami Berisha, të axhës së tij Ymer Berishës si dhe të djalit të axhës së tij Esat Berishës, pra rrugën e emancipimit e të nderit dhe kësaj rruge ai i qëndroi me besnikëri deri në ditën e tij të fundit”, tha Isufi dhe shtoi se në librin e tij “Çaste Kujtimi”, në faqen e parë si një lloj testamenti, Rafeti kishte vendosur vargjet e kësaj kënge që këndohej në shtëpinë e tij: “Tungjatjeta jeta nana jonë, Tungjatjeta përgjithmonë, Zoti vetë na ka dhonë, Për liri na me konë, Edhe bashkë me pushkë në dorë.”
Këto vargje ishin zëri i fëmijërisë së tij, në vitet e para të Luftës së Dytë Botërore, dhe siç ndodh shpesh, ajo që gdhendet në rini bëhet vulë për gjithë jetën. Në vitin 1944 forcat çetnike ja vranë babain, xhaxhain dhe djalin e axhës, me shumë veprimtarë tjerë të kësaj kohe, prandaj këto akte të rënda dhe mizore zgjuan te ai në njërën anë urrejtjen ndaj armikut, e në anën tjetër shtuan dëshirën për të vazhduar rrugën e më të dashurve të tij. Rafeti së bashku me vëllain e tij Isa Bajramin dhe poetin e dëshmorin Rexhep Elmazin në Maj apo Qershor të vitit 1962, kishin themeluar grupin e fshehtë patriotik me emër “Mujo Ulqinaku”. Qëllimi i Grupit ishte rezistenca ndaj politikës antishqipare të regjimit serb e jugosllav, i cili grup sipas kujtimeve të Rafetit në muajin Prill të vitit 1964 ishte bërë Degë e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, të udhëhequr nga Adem Demaqi. Bashkimin e Grupit e kishte inicuar veprimtari Zeqir Gërvalla përmes Rexhep Elmazit. Pas dekonspirimit të shumë anatarëve të këtij Grupi, ata u dënuan me shumë vite burg, ndërsa si njëri prej më të rinjëve dhe duke i falenderuar mbrojtjes nga Rexhep Elmazi, Rafeti kishte shpëtuar vetëm me një dënim me kusht prej një viti. Rrallë kam takuar njerëz në këtë qytet me dinjitetin, integritetin dhe përkushtimin e tij — përkushtim ndaj edukimit, gjuhës, kulturës dhe historisë, ndaj vlerave që na bëjnë komb dhe shoqëri me dinjitet. Kujtoj veçanërisht vitet ’90, punën e tij të matur, të pa ndalur, të përpikt në institucionet e asaj kohe. Kishte qetësi e dashamirësi, por edhe guxim për të kundërshtuar pa mëdyshje gjithçka që e shihte si të dëmshme, gjithçka që na kthente prapa. Edhe përballë humbjeve të mëdha familjare, ai gjeti forcën për t’u ringritur. Vazhdonte të besonte, të kontribuonte, ti gëzohej lirisë dhe të vëzhgonte përparimin e shoqërisë — pa rënë në dorëzim dhe pa humbur shpresë. Në bisedën tonë të fundit, kur e falënderova për librin, ai me një kthjelltësi të habitshme rikujtoi vitet e njohjes sonë, takimet e miqësinë.
“Nga zëri i tij s’e mendova dot ikjen, aq më pak kaq shpejt e kaq papritur. Shumë nga ne patëm privilegjin ta njihnim nga afër. Qytetit të Gjilanit nga sot e tutje do ti mungoj një nga emblemat e tij më të veçanta. Jam i bindur se gjithçka që la pas do të vazhdojë të flasë për të — më qartë se ne vetë. Ai iku fizikisht, por shembulli, kujtimi dhe porositë e tij do tij do ti kemi përgjithmonë”, përfundoi Bejtush Isufi, bashkëveprimtar i Rafet Bajramit.
Varrimi i të ndjerit është bërë në Varrezat e Qytetit në Gjilan./kryelajmi.com/.





