Futboll

Curri: Ndeshje për të treguar karakter dhe vazhdimësi

Debatik Curri është i vetëdishëm për rëndësinë e ndeshjes ndaj Llapit të dielën, ndaj dhe ka bërë thirrje për futbollistët e tij për fokus maksimal dhe përkushtim për të vazhduar ecurinë e rezultateve pozitive.

Shefi i shtabit teknik e ka vlerësuar ekipin llapjan si tejet konkurues me futbollistët tejet cilësor, por që objektivi i vetëm i kuqebardhëve mbetet vetëm fitorja.

“Jemi në momentum të mirë, sidomos pas fitores në Skenderaj dhe triumfit në Kupë. Ekipi është i motivuar dhe i gatshëm për duelin ndaj Llapit, i cili është i vështirë duke ditur edhe kualitetet që ka skuadra kundërshtare. Ne kërkojmë të arkëtojmë pikët e plota dhe të krijojmë stabilitet në formën tonë”.

Fundi i formës së luhatshme?

“Kjo është ndoshta ndeshja më e rëndësishme që kur kam ardhur te Gjilani. Ne duhet të fokusohemi vetëm te përballja ndaj Llapit dhe asgjë tjetër. Ne duhet të luftojmë më shumë, të shfaqim agresivitet më të madh, sidomos kur luajmë në shtëpi. Është vetëm ndeshja e tretë kampionale të cilën e zhvillojmë në shtëpi që kur jam këtu dhe mund të them lirisht që na ka munguar edhe fati sportiv. Nesër do të jemi të gatshëm dhe me fokus 100%”.

Fitoret në udhëtim?

“Jemi në kërkim të ndeshjeve më agresive si vendas. Kemi merituar më shumë pikë, pasi që kemi shpërdoruar pikë në minutat shtesë. Natyrisht që na duhet edhe mbështetja e tifozëve, pasi që ata duhet të na mbështesin, pavarësisht ecurisë, apo veprimet e individëve, pasi që këta futbollist e përfaqësojnë një klub me traditë, një klub të qytetit dhe duhet ta ndjejnë mbështetjen e tyre. Ne duhet të japim më tepër kur luajmë si vendas”.

Fondi i futbollistëve?

“Gjilani gjithmonë ka pretenduar Evropën edhe para se të vija unë këtu si trajner, ndaj nuk pretendoj të ndryshoj objektiva. Jam i lumtur dhe i kënaqur dhe për më tepër krenar që drejtoj një klub si Gjilani dhe këta futbollistë. Normalisht që kemi hapsira për përmisim dhe do të përmisohemi. Do të bëjmë paraqitje të mira dhe do të marrim maksimumin. Nëse do kemi mundësi për të intervenuar në merkato do ta bëjmë, por jo sa për të mbushur numrin”.

Tri ndeshjet e fundit?

“Fokusi është vetëm te ndeshja ndaj Llapit. Ashtu siç ishte fokusi vetëm te ndeshja ndaj Istogut. Megjithëse koha ishte tejet e shkurtër, ne kemi përgatitur ndeshjen dhe jemi të gatshëm. Nuk mendojmë për ndeshje tjera përveçse takimit të së dielës ndaj Llapit”.

You Might Also Like