Humanisti i mirënjohur nga fshati Bresalc (Lagjja e Gllamës), Haxhi Ramadan Muji, ka vazhduar traditën e tij 15-vjeçare të bamirësisë duke u dalë në ndihmë familjeve me gjendje të rënduar ekonomike.
I ardhur enkas nga Zvicra për të qenë pranë bashkëatdhetarëve të tij, z. Muji ka zgjedhur ditët e bekuara të fundit të muajit të Ramazanit për të shpërndarë ndihma. Për nder të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, Natës së Kadrit dhe festës së Fitër Bajramit, ai ka dhuruar 50 pako ushqimore me vlerë totale mbi 2,000 euro.
Ky gjest synon t’u lehtësojë këtyre familjeve përgatitjet për festen e Bajramit, duke u siguruar që asnjë tryezë të mos mbetet e zbrazët. Qytetarët që pranuan pakot u shprehën jashtëzakonisht mirënjohës për këtë kontribut të vazhdueshëm.

“Ka dhjetë vite që pranoj pako ushqimore nga Haxhi Ramadani. Ky kontribut na i lehtëson shumë obligimet për festa dhe do t’i jemi mirënjohës gjithë jetën,” u shpreh njëri nga përfituesit e këtij donacioni.
Haxhi Ramadan Muji njihet si një njeri që nuk ndihmon vetëm gjatë festave. Ai është i pranishëm sa herë që qytetarët kërkojnë ndihmë, duke u siguruar që askush të mos ndihet i vetmuar apo i harruar në sfidat e jetës.
Ky akt humaniteti është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit që mërgata jonë vazhdon të tregojë për vendlindjen.




