Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan, ka pranuar një automjet zjarrfikës nga organizata GVZ, kantoni i Cyrihut, me iniciativën e aktivistit Ilijaz Ilijazi, në bashkëpunim me shoqatën “17 Shkurti”.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se ky është një donacion tejet i rëndësishëm tashmë është vënë në shërbim të sigurisë së qytetarëve tanë. Falë bujarisë së autoriteteve të Cyrihut dhe organizatës GVZ, Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan është pajisur me një automjet të ri zjarrfikës dhe pajisje përcjellëse.
“Ky projekt nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e palodhshëm të aktivistit Ilijaz Ilijazi dhe shoqatës “17 Shkurti”, të cilët dëshmojnë çdo ditë se mërgata jonë është shtylla e pathyeshme e zhvillimit të Kosovës”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit, tregoi se në ceremoninë e pranim-dorëzimit, ishin të nderuar me praninë e ambasadorit të Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, si dhe miqve tanë zviceranë, Mario Fehr, anëtar i Qeverisë së Kantonit të Cyrihut, Daniel Wäfler, anëtar i Këshillit Kantonal dhe Renato Mathys, shef i Shërbimit të Zjarrfikjes.
“Ky automjet do të rrisë ndjeshëm kapacitetet tona reaguese për mbrojtjen e jetës dhe pronës. Bashkëpunimi mes Gjilanit dhe Cyrihut po krijon ura të forta suksesi që prekin drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve tanë. Faleminderit Zvicrës, faleminderit mërgatës tone”, tha kryetari Hyseni.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Shabani, i cili ka pranuar donacionin, tha se janë mirënjohës për dhurimin e kamionit dhe pajisjeve shoqëruese për zjarrfikje për Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan.
Kjo sipas tij është një ndihmë jashtëzakonisht e rëndësishme për rritjen e kapaciteteve tona në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë.
“Ky donacion është edhe një urë lidhëse mes Kantonit të Cyrihut dhe Komunës së Gjilanit, duke dëshmuar se bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve tona mund të sjellë rezultate konkrete dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët e dy vendeve tona”, tha drejtori Shabani.




