Në kuadër të “Javës së Frankofonisë”, e cila tash e sa ditë po mbahet në Gjilan, i cili sivjet është kryeqytet i frankofonisë në Kosovë, në sallën koncertale të Shkollës së Muzikës është mbajtur aktiviteti “Më thoni dhjetë fjalë për botën që po vije” nga nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe atij Shoqëror “Zenel Hajdini”, të udhëhequr nga mësimdhënësit e gjuhës frënge Sami Selishta dhe Tahir Dalipi.
Fillimisht të pranishmëve u është drejtuar Edouard Mayoral, këshilltar për bashkëpunim edukativ dhe kulturor i ambasadorit të Francës në Kosovë Olivier Guérot, i cili ka theksuar se për çdo vit në Kosovë mbahet “Java e Frankofonisë”, nder që sivjet i ka takuar Gjilanit dhe ai ka numëruar të gjitha aktivitetet që janë mbajtur dhe që do të mbahen në ditët në vijim.
Jeton Rexhepi, drejtor i Arsimit në Gjilan, i pranishëm në këtë ngjarje, ka theksuar se është kjo një ngjarje që tejkalon kufijtë e një feste kulturore dhe shndërrohet në një urë të fuqishme bashkëpunimi, dialogu dhe zhvillimi arsimor.
“Këtë vit, Gjilani është qendër i kësaj jave të rëndësishme, duke u shndërruar në një pikëtakim të kulturave, ideve dhe vlerave që përfaqëson frankofonia – një komunitet global me mbi 300 milionë folës të gjuhës frënge në më shumë se 80 vende të botës”. Ai tha se Drejtoria e Arsimit vlerëson se këto aktivitete kanë një rëndësi të veçantë, sepse lidhen drejtpërdrejt me edukimin e brezave të rinj. Përmes aktiviteteve të ndryshme – nga prezantimet akademike, trajnimet profesionale, aktivitetet artistike e deri te shkëmbimet kulturore – nxënësit tanë po fitojnë njohuri të reja dhe po hapin horizontet drejt botës. Duke iu drejtuar nxënësve ai tha se ju jeni përfituesit më të mëdhenj të këtyre aktiviteteve dhe se përmes tyre kanë mundësi të njihen me kultura të ndryshme, të mësoni gjuhë të reja dhe të përgatiteni për një të ardhme ku bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi i suksesit.

Në pjesën artistike nga prezantuesja Alba Zeneli janë paraqitur pjesëmarrësit: Cinéma Paradiso – Zana Abasi me flautë, Voilà – që e këndoi More Rexhepi, Les ombres d’un future sidéral që e recitoi Dea Veseli, Zanë Këqiku këndoi këngën Love Story, pjesën teatrale “L’ombre du continuum”, ku luajtën Ina Geci, Laisa Azemi, Edin Huruglica, Engjëll Dalipi, Lina Bislimi, More Rexhepi, Zerina Ismajli, Donikë Ademi, Atikë Salihu, Ajsin Sahiti dhe Tahir Dalipi.
Më pas këngën “Mon amour” e këndoi Earta Gjinolli, poezinë “Les chiens abandonés” e recitoi Zanë Këçiku dhe për fund u paraqit Lisiana Kryeziu me këngën “Dernière danse”. /kryelajmi.com/.



