Pas një kontributi të jashtëzakonshëm 44-vjeçar në shërbim të pacientëve, është pensionuar Sebahate Maliqi Rukovci, e njohur për të gjithë si “motra Cab”.
Gjatë karrierës së saj të gjatë, ajo u bë sinonim i përkushtimit, humanizmit dhe kujdesit të pakursyer ndaj pacientëve, duke fituar respektin dhe mirënjohjen e shumë brezave.
Me rastin e pensionimit, vëllai i saj, prof. dr. Arben Maliqi, ka ndarë një mesazh prekës, duke e vlerësuar lart figurën dhe kontributin e saj:
“Ti nuk ishe vetëm një motër medicinale, por një zemër e madhe që u dhe shpresë, kujdes dhe dashuri çdo pacienti. Me përkushtimin tënd dhe mirësinë që të karakterizon, ke lënë gjurmë të pashlyeshme te të gjithë ata që patën fatin të të njohin. Për ne, ti ke qenë gjithmonë më shumë se një motër, një shtyllë, një shembull dhe një frymëzim. Jemi shumë krenarë për ty dhe për gjithë sakrificat që ke bërë ndër vite. Tani shijo qetësinë dhe lumturinë që e meriton. Të uroj shëndet dhe ditë të bukura me familjen tënde të shtrenjtë!”
Pensionimi i “motrës Cab” shënon fundin e një epoke të gjatë shërbimi me përkushtim, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në kujdesin shëndetësor dhe në zemrat e atyre që ajo i ndihmoi ndër vite.




