Drejtori i Administratës së Përgjithshme në Komunën e Gjilanit, Elbasan Shabani, së bashku me përfaqësues të OSBE-së dhe zyrtarin ligjor Ardian Foniqi, zhvilluan një takim me komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian (RAE).
Gjatë këtij takimi të pranishmit u informuan lidhur me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për regjistrimin e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.
Po ashtu u prezantua edhe vendimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, me të cilin obligohen komunat që të mundësojnë regjistrimin e lindjeve, martesave dhe vdekjeve pa pagesë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian (RAE).
Në këtë takim pjesëmarrësit u njoftuan gjithashtu me Ligjin për të Huajt, i cili ka hyrë në fuqi më 15 mars 2026, si dhe me procedurat për pajisje me leje qëndrim dhe përfitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.




