Futboll

Elsa Rrusta dhe Adea Mustafa e ardhmja e arbitrimit në futboll

 
Të dyja ishin futbolliste, njëra në portë e tjetra në mesfushë dhe pasioni për futbollin ka bërë që ato të vazhdojnë me futbollit, tashti edhe duke ndarë drejtësinë.
Dy gjyqtare të reja të futbollit, Elsa Rrusta dhe Adea Mustafa po dëshmojnë se pasioni, përkushtimi dhe puna e palodhur janë çelësi i suksesit. Ndonëse të reja në mosjë, ato tashmë kanë nisur të bëjnë karrierë në ndarjen e drejtësisë, duke drejtuar ndeshje jo vetëm në ligën e femrave dhe te grupomshat e reja, por edhe në ndeshje të ekipeve të rangjeve të ndryshme që garojnë në ligat e Kosovës në futboll. Ato çdo ditë e më tepër po dëshmojnë se janë shumë të sigurta në vendimet e tyre, dinë të përcjellin lojën dhe të marrin vendimet e duhura, lejojnë lojën burrërore, por jo edhe ashpërsinë dhe sjelljet e pahijshme dhe me hapa të sigurt po ndërtojnë rrugën e tyre në këtë profesion sfidues, duke treguar profesionalizëm dhe vendosmëri në çdo ndeshje.
Me përgatitjen e tyre fizike dhe njohuritë e rregullave të lojës, Elsa Rrusta dhe Adea Mustafa po fitojnë respektin e futbollistëve, trajnerëve dhe tifozëve e prania e tyre në fushën e gjelbër është një dëshmi se futbolli ofron mundësi të barabarta për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në zhvillimin e sportit.
Elsa Rrusta, dikur nxënëse e shkëlqyeshme në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, tashti me plot sukses po vazhdon studimet dhe njëkohësisht është trajner e fitnesit, derisa në të njëjtën shkollë edhe Adea Mustafa ka përfunduar maturën dhe tashti do të vazhdojë jetën studentore, por pa e lënë arbitrimin, duke mëtuar që në të ardhmen të pajiset edhe me stemën e FIFA-s.
Të dyja këtë arbitre përfaqësojnë një brez të ri arbitresh që synojnë të arrijnë nivele të larta në futbollin vendor dhe ndërkombëtar. Me talentin dhe përkushtimin që po tregojnë ato janë shembull frymëzimi për shumë vajza të reja që ëndërrojnë të bëhen pjesë e botës së futbollit.
Rruga e tyre sapo ka filluar, por ambicia dhe vullneti i tyre premtojnë një të ardhme të ndritur në arbitrimin e futbollit. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like