Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Sh. T. Philip S. Kosnett ka parë nga afër ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike nga avokatë pro-bono (pa pagesë) të licensuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe studentëve të Klinikës Juridike Penale me Raste Reale gjatë aktivitetit “Orët për Ndihmë Juridike pa Pagesë” në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.
Ambasadori Kosnett dhe Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë Lisa Magno janë pritur nga Dekani i Fakultetit Juridik Sadik Haxhiu dhe profesori Fejzullah Hasani, me ç’rast ka përgëzuar rezultatet e Klinikës Juridike, veçanërisht studentët për përgatitje profesionale, duke thënë se ky është një shembull i mirë i të rinjve kosovar të cilët në të ardhmen do t’i kontribuojnë në avancimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Dekani i Fakultetit Juridik, Sadik Haxhiu dhe profesori Fejzullah Hasani kanë falënderuar Ambasadorin Kosnett për vizitën, duke thënë se mbështetja e USAID-it në Kosovë është shumë e mirëseardhur në Universitet si dhe për vet studentët, sepse kanë pasur mundësi që përmes trajnimeve, ligjëratave dhe angazhimit me avokatë, të rrisin mundësinë për formimin e të menduarit kritik dhe aftësive të tyre praktike.
Dekani Haxhiu në emër të Rektorit të Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, i ka dhuruar Ambasadorit Kosnett një mirënjohje për kontributin e dhënë në “Avancimin e Studimeve Juridike” në Fakultetin Juridik, kurse nga ana e tij Ambasadori Kosnett i ka dhuruar universitetit një dhuratë simbolike, një orë me mbishkrimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Për të rritur vetëdijesimin mbi aktivitetin, studentët u mobilizuan nëpër pjesë të ndryshme të komunës së Gjilanit më 13 qershor 2019, për t’i informuar qytetarët rreth Orëve për Ndihmë Juridike pa Pagesë. Në total 11 qytetarë që nuk kanë pasur mundësi që të paguajnë avokatë përfituan nga ky aktivitet.
Aktiviteti Drejtësia Vlen është një projekt trevjeçar i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për të përmirësuar qasjen në drejtësi për të gjitha grupet në pozitë të pafavorshme dhe të margjinalizuara përmes forcimit të institucioneve, aktorëve dhe proceseve për ofrimin e ndihmës juridike, shërbimeve dhe informacion.