Dje, gjatë seancës së Kuvendit Komunal, shefi i grupit të LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që urgjentisht të rishikojë të gjitha mundësitë ligjore për të pezulluar rivlerësimin e tatimit në pronë për vitin 2023, shkruan Radio Star.
Pozitë dhe opozitë në Kuvendin Komunal të Gjilanit, përkrahën kërkesën e Aliut dhe përmes shefave të grupeve, është bërë një rekomandim Ministrisë së Financave dhe Departamentit të Tatimit në Pronë, që edhe njëherë të rishqyrtojë rivlerësimin e pronave, pasi që qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë në lidhje me faturat e tatimit në pronë për vitin 2023.
Kërkesa e grupit të këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës gjeti mbështetje dhe mirëkuptim edhe te grupet tjera politike ne kuvend, ku është kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të rishikoj të gjitha mundësitë ligjore për të pezulluar rivlerësimin e tatimit në pronë për vitin 2023, duke mos lejuar rritjen e ngarkesës tatimore në pronë për qytetarët e Komunës se Gjilanit dhe te Kosovës në përgjithësi. Gjithashtu, u kërkua nga Ministria e Financave që sa më shpejtë ta dërgojë ligjin e ri për tatimin në pronë në Kuvend, në mënyrë që t’iu mundësohet komunave ulja e pragut të normës tatimore./radiostar/