Gjilan

Bajrami: Komunat tjera duhet ta marrin shembullin e Gjilanit për mësimin nga distanca

Gjilan, 14 maj 2020 – Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, e ka vlerësuar Gjilanin komunë model sa i përket realizimit të mësimit online, duke shtuar se ky model duhet të ndiqet edhe nga komunat tjera.

Këto komente, Bajrami i ka bërë pas vizitës që sot i ka bërë Gjilanit, ku është pritur nga kreu i kësaj Komune, Lutfi Haziri, së bashku me ekipin e tij.

Ajo tha se Gjilani është komuna e parë që e ka filluar mësmin nga distanca, më 16 mars, duke qenë edhe para qeverisë.

“Në Gjilan ka një përdorim të lartë të tri paltformave të Ministrisë së Arsimit, ajo e mësimit në distancë 1-9, edukimi gjithëpërfshirës dhe platforma e edukimit të hershëm. Projekti i mësimit në distancë është i suksesshëm vetëm me bashkëpunimin e plotë me qeverinë komunale. Modeli i Gjilanit duhet të ndiqet edhe nga komunat tjera”, ka thënë ministrja Bajrami.

Kryetari Lutfi Haziri, pasi e falënderoi ministren Bajrami për vizitën, e ka informuar për mësimin nga distanca, sikurse edhe për aktivitetet kulturore të nxënësve në kohë pandemie, përfshirë edhe ekspozitat online.

“E falënderoj ministren Bajrami, e cila si pjesëtare e Kabinetit ka qenë e angazhuar jashtëzakonisht shumë në segmentin e menaxhimit, jo vetëm mësimit online, por edhe të emergjencave civile. Ajo dhe stafi i kësaj Ministrie kanë bashkëpunuar shumë mirë me Gjilanin dhe na kanë ndihmuar në zgjidhjen e disa cështjeve. Pra, një lloj normaliteti në kohë pandemie”, ka thënë Haziri.

Ministrja Bajrami, ka përgëzuar Gjilanin edhe për funksionimin e mirë të trekëndëshit nxënës – mësimdhënës – prindër.

Pas takimit, kryetari Haziri bashkë me drejtorin Nazim Gagica dhe ministren Bajrami, kanë vizituar kampusin e shkollave të mesme.

You Might Also Like