Kamenicë

Çështje e kufirit te Karaçeva e Poshtme të sensibilizohet në instancat më të larta të shtetit më të fuqishëm në botë

Nuk e kanë ndërmend të ndalen deri sa të marrin konfirmimin se tokat në pjesën e Karaçevës së Poshtme janë pjesë e Kosovës. Selver Lenjani, kryetar i kësaj bashkësie ka thënë se i kanë dërguar letër të hapur Komunitetit shqiptaro-amerikan, duke kërkuar nga ta që këtë çështje t’a sensibilizojnë në instancat më të larta të shtetit më të fuqishëm në botë.

Ai ka rikujtuar se edhe më tej Serbia pretendon të shkëput një pjesë të territorit të Kosovës, që është në pjesën e Komunës së Kamenicës, gjegjësisht në fshatin Karaçevë e Poshtme, problem ky që mbetet i pazgjidhur që nga viti 2001. Ai shprehet se banorët e kësaj ane kanë dokumente valide, por se nuk po mund të arsyetojnë se pronat i përkasin fshatit Karaçevë e Poshtme dhe se në to në mënyrë të vazhdueshme futen forcat serbe tash e sa kohë.

Më këtë letër, Lenjani, ka thënë se këto prona gjenden në kufi  me Serbinë, por që në kohën e Sllobodan Millosheviqit ishin falsifikuar këto prona kadastrale dhe harta të tilla i ishin ofruar faktorit ndërkombëtar.

“Ne nuk kemi toka për t’i falur askujt dhe sikurse që nuk e duam tokën e huaj, njëjtë nuk e japim tonën”, është thënë në këtë letër në të cilën është kërkuar që lobi shqiptaro-amerikan duhet t’a sensibilizojë këtë çështje në SHBA, që miqësia me këtë shtet të vazhdojë si gjithherë, gjithnjë duke i qenë falënderues këtij vendi, që ka përmendur me radhë miqtë e Kosovës në SHBA.

You Might Also Like