Në lagjen “Gllama” të fshatit Bresalc është vandalizuar çezma publike, e ndërtuar tetë vjet më parë nga humanisti Haxhi Ramadan Muji në shërbim të banorëve, kalimtarëve dhe kafshëve të zonës.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim dhe indinjatë mes banorëve lokalë, ndërsa vetë humanisti Muji, i cili ka financuar ndërtimin e tetë çezmave të ngjashme me mjetet e tij vetjake, e ka cilësuar këtë akt si të pakuptimtë.
“Unë nga zemra e kam ndërtuar për qëllime të mira, për çdo banor që ka nevojë për ujë, po ashtu freskinë e kanë gjetur edhe kafshët. Të thyhet e të shkatërrohet nga kjo dorë e ligë kjo çezmë humanitare… nuk e di se kujt i ka penguar dhe pse është shkatërruar”, u shpreh ai, duke shtuar se bashkë me familjen do të vazhdojnë angazhimin e tyre humanitar pavarësisht këtij dëmtimi.
Autoritetet lokale ende nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar lidhur me identifikimin e autorëve të këtij akti vandal.





