Futboll

Kaltrina Biqkaj në Akademinë e Bayernit

Futbollistja e re kosovare, Kaltrina Biqkaj po provohet në gjigantin evropian FC Bayern München dhe duke ditur cilësitë e saja sa ishte në Kosovë pritet që ajo këto prova t’i kalojë me sukses.

Një arritje e madhe e tillë e kësaj futbollisteje është arritur falë ndërmjetësimit të menaxherit kosovar, Gani Musliu, i cili edhe më herët kishte aranzhuar prova të tilla për futbollistet kosovare, kryesisht në shtetin e Zvicrës.

Musliu, i cili ndjehet i lumtur për një arritje të tillë, ka thënë se për të ishte një privilegj të jetë i pranishëm në kompleksin e Akademisë së futbollit të FC Bayern München, dhe para udhëheqjes së FC BAYERN FRAUEN të prezentojë futbollisten më të talentuar shqiptare, hogoshtasen Kaltrina Biqkaj.

“Unë dhe Kaltrina patëm një përkrahje dhe një ndihmesë shumë të madhe nga hogoshtasi Valon Sh. Biqkaj, i cili punon dhe jeton në München”, ka thënë Ganiu, që ka shtuar se në fund të ushtrimit të parë trajnerja që udhëhoqi ushtrimet e Kaltrinës kishte thënë: “Vështrimi im i parë është shumë pozitiv. Kaltrina, edhe pse për herë të parë tek ne në ushtrime, edhe pse nuk njihet me asnjërën nga lojtaret tona, u vërejt se e gjeti komunikimin e nevojshëm dhe tregoi se posedon teknikë të mirë të lojës”. Trajnerja shtoi se shpreson se në ushtrimet e ardhshme dhe në lojën miqësore të shtunën Kaltrina do të adaptohet me bashklojtaret dhe me sukses do të tregojnë në përgjithësi kualitetin e saj. Kaltrina gjatë një loje stërvitore nuk humbi gati se asnjë top, pasoi topa të shkëlqyeshëm dhe i shënoi dy gola nga pozita të vështira, ka thënë Musliu.

Ndryshe, Kaltrina Biqkaj, qysh e re ka nisur lojën e futbollit dhe ka qenë pjesë e KFF Intelektualet nga Gjilani. Ajo është reprezentuese dhe një nga lojtaret më të mira tona, andaj prej saj pritet shumë në të ardhmen.

You Might Also Like