ARSIMI

Elsa Kqiku, nxënësja që po ia zbardh fytyrën Kosovës

Sa herë që mori pjesë në gara me karakter kombëtar a ndërkombëtar, Elsa Kqiku, nxënëse e klasës së dymbëdhjetë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” ia zbrdhi fytyrën jo vetëm Gjilanit, por edhe mbarë Kosovës.

Maturantja nga Gjilani, që kurrë nuk i ndahet pesave edhe sivjet përfaqësoi vendin tonë në Garat Ndërkombëtare të Fizikës, lëndë kjo që asaj i pëlqen së tepërmi.

Duke pasur përvojë dyvjeçare nga përfaqësimi i Kosovës në Olimpiadën Evropiane të Fizikës (EuPhO 2020) dhe në Olimpiadën Botërore të Fizikës (IPhO 2021), Elsa shprehi dëshirën që përsëri të kalojë eksperiencën e njëjtë dhe pse jo të përfitojë edhe më shumë kualifikime në fushën e fizikës. Kështu, pjesëmarrja e saj në Garën Republikane të fizikanëve të rinj 2022, rezultoi që në fund të rrugëtimit përzgjedhës, të ishte sërish njëra nga katër përfaqësuesit e ekipit kosovar në IPhO 2022. Olimpiada ishte e vendosur të mbahej në Bjellorusi, mirëpo për shkak të situatës së vështirë luftarake në të cilën gjendej rajoni dhe afërsia me këtë shtet, u vendos që Zvicra të ishte organizatorja e re e IPhO 2022 (The 52-nd International Physics Olympiad 2022-Sëitzerland), mirëpo në formatin online.

Pas trajnimeve të shumta dhe përgatitjeve për garë në FSHMN- Prishtinë, më 10-17 korrik u mbajt Olimpiada e 52-të Botërore e Fizikës 2022.

“Ishte një javë e mbushur me aktivitete interesante që më mundësoi të bashkëpunoja më shokë-shoqe nga shtete anembanë botës, të bisedoja e të sqaroja probleme të ndryshme të fizikës me nobelistë të astrofizikës, e persona të njohur në këtë fushë”, rrëfen Elsa Kqiku, e cila pas përfundimit me sukses të dy fazave garuese, asaj teorike dhe eksperimentale, si shpërblim për aktivitetin dhe interesin që ka treguar gjatë javës së olimpiadës është shpërblyer nga Zvicra, më saktësisht Cyrihu me certifikatë të formatit botëror. “Certifikata është me të vërtetë një nder i madh për mua meqenëse është e nënshkruar nga pesë emrat më të njohur të organizimit të olimpiadës së fizikës tash e sa vite, ku ndër ta do të veçoja Radjeep Singh Raëat, president i IPhO-s dhe Jaan Kalda Kalda, kryetar i komisionit akademik të IPhO-s”, thotë maturantja Elsa Kqiku, sipas të cilës  kjo certifikatë ka rëndësi të papërshkruar për të, ngase i ka hapur rrugën për studime në universitetet më të njohura të Zvicrës, e cila vlen si privilegj në rast aplikimi për studimet bachelor dhe master.

Kjo është certifikata e tretë e formatit ndërkombëtar me të cilën nderohet Elsa dhe ajo është shumë e lumtur që kam arritur deri tani të ketë në kualifikimet e saja certifikatë nga tri shtete si: Rumania (2020), Lituania (2021) dhe Zvicra (2022), si dhe të ishte përfaqësuese në tri olimpiadat e para të fizikës në të cilat Kosova ka marrë pjesë.

Personalitete si Elsa Kqiku i duhen Kosovës, ata janë e ardhmja e këtij vendi, andaj nxënës e talente të tilla meritojnë përkrahje nga shteti, kurse Elsa dhe nxënëset si ajo do t’a bëjnë të njohur këtë vend kudo në botë.

You Might Also Like