Viti

Fjalimi i Sokol Halitit pas dhënies së betimit për mandatin e ri

I nderuari kryesues, të nderuar këshilltarë komunalë, të nderuar përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë, përfaqësues të KFOR-it, përfaqësues të subjekteve politike e të organizatave të dala nga lufta, të nderuar veteranë të luftës, e veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues të bashkësive fetare, ish-kryetarë e zyrtarë komunalë, të dashur mërgimtarë, aktivistë të shoqërisë civile e media, të nderuar pjesëmarrës në këtë seancë solemne, ku jemi mbledhur për të zyrtarizuar përfaqësuesit e zgjedhur me votën tuaj të lirë, qytetarë të nderuar të Komunës së Vitisë! Para së gjithash dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për besimin e dhënë për të vazhduar postin e kryetarit edhe për një mandat të ri.
Poashtu shfrytëzoj rastin që të uroj edhe këshilltarët e rinj të zgjedhur nga vullneti i juaj i lirë dhe t’iu dëshiroj punë të mbarë e suksese.
Të nderuar qytetarë!
Rizgjedhja për kryetar komune është detyrim dhe përgjegjësi për mua dhe bashkëpunëtorët e mi, me të cilët, zotohem se, do të vazhdojë të punojë me seriozitet e përkushtim maksimal, për të mirën e përgjithshme publike në komunën tonë dhe për përmirësimin e jetës së secilit qytetar në çdo aspekt.
Jam i vetëdijshëm se kemi shumë çështje për të zgjidhur, prandaj zotohem se do të jem pranë problemeve dhe kërkesave tuaja dhe do t’i përfundojmë të gjitha projeksionet e parapara për këtë mandat, në mënyrë që Vitinë ta bëjmë edhe më të jetueshme.
Konkretisht, gjatë katër viteve të ardhshme, do të fokusohem tek zhvillimi ekonomik, shëndetësia, kultura, rinia, sporti, arsimi, bujqësia, shërbimet publike si dhe shumë projekteve tjera të rëndësishme.
Përndryshe, në anën tjetër, do të jem i pakompromis ndaj të keqes, padrejtësive, shkeljeve e parregullsive. Do të vazhdojë të punojë ndershëm, me efikasitet të lartë e përgjegjshmëri, do të angazhohem për transaprencë e llogaridhënie të plotë, si dhe për pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimarrje, për të përmbushur rrugëtimin dhe sakrificën e gjeneratave të tëra, prej dekadash e deri te lufta e UÇK-së për shtetndërtim dhe institucione të shëndosha dhe për të siguruar të ardhme të ndritshme për gjeneratat e reja, të cilat do të ndihen krenarë me të arriturat që do t`i gëzojnë.
E di që nuk është lehtë, por me kënaqësi dhe me plot energji, kam marrë mbi supe përgjegjësinë e udhëheqjes së komunës së Vitisë edhe për një mandat. Prandaj kërkoj bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj, që secili prej nesh të kryejë obligimet dhe punët që na takojnë, në mënyrë që gjërat të vijnë në vendin e vet, ashtu si duhet dhe me kohë.
Konfirmoj edhe një herë se jam i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë qytetarët e dallim dhe me të gjitha strukturat dhe subjektet politike, pa dallim, në të mirë të zhvillimit të gjithmbarshëm e të mëtutjeshëm të Vitisë.
Për mua është nder i madh që të vazhdojë t`ju shërbejë, por njëkohësisht edhe emocion e përgjegjësi, për rrugën që kaluam e shtigjet e reja që do t’i hapim.
Do të jeni dëshmitarë të një koncepti transformues e modern të Komunës së Vitisë.
Fare në fund, dua t`ju uroj shëndet të plotë, sepse tani kemi hyrë në vitin e tretë të pandemisë, e cila na shkaktoi vuajtje e vështirësi të mëdha, duke na marrë edhe shumë jetë njerëzish, për çka shprehi ngushëllimet e mia të sinqerta.
Lutem që kjo të kalojë sa më shpejt e ne të gjithë t`i kthemi ritmit normal të punës dhe jetës. Krahas lutjeve, zotohem se bashkë me Komitetin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilin e kryesoj, dhe me mekanizmat tjerë institucional, do të vazhdojë me përkushtimin maksimal luftën kundër kësaj të keqe që e ka kapluar mbarë njerëzimin.
Përndryshe, në të keq, e në të mirë, do të jem 24 orë i çasshëm e në shërbimin tuaj.
Faleminderit të gjithëve! Zoti ju bekoftë!

You Might Also Like