Gjilan

“Flaka e Janarit” është manifestim mbarëkombëtar me anë të të cilit Gjilani si qytet, mbledh shqiptarët nga të gjitha trevat

 

Fjala e kryetarit Alban Hyseni në Akademinë e Flakës

I nderuari Kryeministër i Republikës, z. Albin Kurti,

I nderuar Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi

Të nderuara familje Zeka, Gërvalla, Mala e Berisha,
Të nderuara familje të dëshmorëve.

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve,
Të nderuar të pranishëm,

Mirë se keni ardhur në këtë akademi përkujtimore kushtuar heronjëve dhe dëshmorëve të kombit: Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla si bashkëveprimtarë të kohës në përvjetorin e dyzetë-jubilar të rënies së tyre. Përkujtojmë veprimtarë si Rexhep Mala e Nuhi Berisha të rënë heroikisht në janar, dy vite më vonë. Sot jemi në 38 vjetorin e rënies së tyre.

“Flaka e Janarit” është manifestim mbarëkombëtar me anë të të cilit Gjilani si qytet, mbledh shqiptarët nga të gjitha trevat.
Përmes kësaj Akademie dhe aktiviteteve të tjera nderojmë dhe kujtojmë ata që me sakrificen dhe qëndresën e tyre ndriçuan rrugën tonë.

“Flaka e Janarit” nisi 31 vite më parë, në dhjetë vjetorin e rënies së Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvalles. Vrasje që nuk u zbardhën asnjëherë . Dhe në 8 vjetorin e rënies heroike ne “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, të Rexhep Malës e Nuhi Berishës.

Veprimtaria kombëtare e Kadriut, Jusufit, Bardhoshit, Rexhepit dhe Nuhiut kalon përmasat e regjioneve prej nga vinin, Anamoravës e Dukagjinit, ata ishin veprimtarë të kauzës kombëtare për liri.

Ne si vartës të institucioneve sot, në rrethanat e lirisë që me mund e sakrificë arritem, duhet të zotohemi me patjetër që amanetin e të rëneve ta qojmë në vend.

Kadriu thoshte:”Bëhu një shërbtorë i popullit tënd!”

Ndërsa Jusufi, kishte thënë:”Rruga e nderes asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun. Dhe kush u mundue për nder, nder ka gjetë!

Prandaj nderi më i madh që të rënëve mund t’u bëjmë ne sot, është të angazhohemi të gjithë së bashku , që me punë e ndershmëri t’u shërbejmë qytetarëve dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për gjeneratat që vijnë.

Nderojmë me përulësi gjithë të rënët e kombit për liri.
Ju falemderit!

You Might Also Like