Futboll

Gjilani mposhtet nga i fundit në tabelë

Gjilani ka pësuar humbjen më dëshpëruese në këtë kampionat edhe atë nga ekipi i fundit në tabelë Fushë Kosova. Loja e Gjilanit e bazuar në harkimet nga krahët nuk ka dhënë rezultat, ngase ndonëse gjilanasit e patën topin më tepër në pronësi ka munguar finalizimi, derisa vendasit ishin shumë të mirë në kundërsulme dhe kjo për ta dha fryt.

Në minutën e pestë Shabani pati një rast shumë të mirë, kur pas harkimit nga e majta e qëlloi topin me kokë, por që për pak topi shkoi jashtë shtyllës së majtë. Gjilani sërish ka rrezikuar nga e majta në minutën 24, por topin e harkuar nuk e arritën as Ismajli e as Shabani dhe një rast i mirë shkoi në pakthim. Nga harkimi nga këndi në minutën 25, Açka gjuajti me kokë, por topi sërish shkoi jashtë dhe Gjilani mbeti pa shënuar.

Fushë Kosova rast ideal pati në  minutën 31, kur Maloku iu shmang mbrojtjes së Gjilanit dhe u gjet ballë për ballë me portierin Betim Halimi, i cili intervenoi guximshëm dhe shpëtoi gol të sigurt, kurse në topin e dëbuar Statovci gjuajti në portën e zbraztë, por topi shkoi jashtë shtyllës së majtë. Edhe në minutën 34, Halimi sërish fitoi duelin me Malokun, i cili ishte i vetmuar pasi mori topin nga Statovci, por Halimi u shtri i tëri dhe shpëtoi gol të sigurt.

Në minutën 35, pas degazhimit të portierit Rugji, Maloku u tregua shumë më i shpejtë se Shehi dhe në brendi mbrojtësi gjilanas e rrëzoi e gjyqtari Nuza tregoi në pikën e bardhë. Statovci gjuajti për mrekulli duke e dërguar Halimin në të djathtë e topin në këndin e epërm të majtë të portës.

Krejt në fund të pjesës së par pas tentimeve të shumta në minutën 45 Oltion Bilalli qëlloi transversalen.

Gjilani në pjesën e dytë u sul drejt portës së Fushë Kosovës dhe i pari që rrezikoi ishte Milev, që gjuajti me kokë në minutën 63, por topi shkoi jashtë mni portë. Gjilani ka pësuar gol në minutën 79, kur pas një shpërthimi nga majta të Hajdarit topi u harkua në brendi dhe Urim Statovci gjuajti me kokë dhe dërgoi topin në këndin e poshtëm e majtë të portës së Halimit për 2:0.

Këto dy ekipe do të ndeshen pas dhjetë ditësh, por kësaj radhe në Gjilan, në kuadër të xhiros së dhjetë./kryelajmi.com/.

You Might Also Like