SC Gjilani është munduar që ndaj Drenicës së paku të arrijë barazimin, por si shumë herë në këtë kampionat ka zhgënjyer shikuesit e saj, ngase pësoi me rezultat 2:1, duke humbur edhe shpresën e fundit se mund të dalë në Evropë.
Drenica që në pjesën e parë ka siguruar fitoren kur ka dalë në epërsi me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Uka dhe Kodra. Drenica ka patur edhe raste të tjera shënimi, por sulmuesit e saj nuk ishin të saktë.
Mirëpo me fillimin e pjesëlojës së dytë, në minutën 52, Blerim Morina me një goditje të mrekullueshme nga largësia ia ka dalë të mposht portierin e Drenicës Kenan Haxhihamza dhe ka ngushtuar rezultatin në 2:1, për të ngjallë shpresat e ekipit kuq e bardhë se mund të bëjnë diç më tepër. Në minutën 64, pasi është shërbyer nga brendia, Albin Prapashtica me një goditje nga afërsia ka qëlluar shtyllën e majtë të portierit Haxhihamza.
Në minutën 68, me motivacion se pati pozitë jashtë lojë Gjilanit i është anuluar një gol i shënuar nga Armend Thaqi e raste të mira më vonë pati me bollëk, por Gjilani nuk ia doli që së paku të barazojë rezultatin, andaj është dashur të pajtohet me humbjen. /kryelajmi.com/.





