Futboll

Drita për herë të pestë është kampione e Kosovës në futboll

Me fitoren ndaj konkurrentit të drejtpërdrejtë për titull, Ballkanit nga Suhareka, FC Drita ia ka dalë që të mbrojë titullin e kampionit dhe për herë të pestë do të shpallet kampione e Kosovës në futboll.

Një gol në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën, i kanë shërbyer ekipit bardh e kaltër nga Gjilani për të mbrojtur titullin.

Drita erdhi në epërsi me një gol të shënuar nga Besnik Krasniqi, që shpërtheu nga e djathta e atë e shërbeu Tusha dhe shënoi nga afërsia. Ballkani pati rastin më të mirë nëpërmjet lojtarit Ribeiro, i cili ishte vetmuar, por gjuajtjen e tij e priti portieri Maloku dhe topi u përplas për transversale, andaj pjesa e parë përfundoi me rezultat 1:0.

Drita diti mirë të ruajë rezultatin dhe ishte më e mirë edhe në pjesën e dytë, kurse pesë minuta pa përfunduar ndeshja ia doli që të sigurojë fitoren, kur pas një harkimi nga e djathta të Besnik Krasniqit, në tollovinë e krijuar më së miri u gjet zëvendësuesi Dante, i cili nga afërsia futi topin në rrjetë për 2:0.

Kështu, disa xhiro pa përfunduar kampionati Drita edhe matematikisht ka siguruar titullin kampion. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like