Gjilan

Haziri: 2017-ta ishte vit i rëndë, por mjaft i suksesshëm në planin e investimeve

Gjilan, 22 shkurt 2018 / Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të enjten mbledhjen tretë për këtë vit, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka miratuar raportin e punës të kryetarit të Komunës për vitin 2017, pastaj vendimin për caktimin e anëtarëve të Komiteteve, vendimin për themelimin e Komisionit vlerësues të ofertave për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme komunale, vendimin për themelimin e Komisionit për vlerësimin e ankesave, vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e fushave sintetike të futbollit, vendimin për caktimin e lartësisë së kompozimit për anëtarët e Këshillit të përhershëm komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve e ngjarjeve nga territori i komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe nga bota si dhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për fëmijët me nevoja të veçanta.

Me kërkesën e shefit të grupit të këshilltarëve të VV, Nevzad Isufi dhe dakordimin edhe të subjekteve tjera politike, plani i punës së Kuvendit për vitin 2018, është shtyrë për seancën e ardhshme, për t`iu dhënë mundësi edhe komiteteve që të përfshihen në proces.

Kuvendi është informuar edhe për suksesin e nxënësve në gjysmëvjetorin e parë, përkatësisht për rrjedhën e manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2018”. Në këtë seancë, Kuvendi është plotësuar me disa anëtarë të rinj, Betim Berisha e Shemdesin Elezi nga radhët e LDK-së, të cilët kanë zëvendësuar anëtarët e tërhequr, Bardhyl Syla e Fejzullah Berisha.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, në raportin e tij, ka thënë se përkundër faktit që 2017-ta ka qenë viti i fundit i mandatit katërvjeçar dhe njëherësh vit zgjedhor, është arritur që të realizohen një sërë projektesh, të cilat e kanë lehtësuar jetën e qytetarëve të Gjilanit.

“Me bashkëpunim të ndërsjellë, me mirëkuptim dhe punë të palodhur, kemi arritur që të realizojmë me sukses një sërë projektesh që janë jetike për të ardhmen e Komunës së Gjilanit”.

Ndërkohë që ka përmendur disa nga sukseset dhe të arriturat e kësaj qeverisje, të cilat raporti i përmban në hollësi, Haziri ka folur edhe për sfidat dhe barrierat e kësaj periudhe, duke thënë se suksesi ynë më i madh i përbashkët ka qenë tejkalimi i të gjitha pengesave në favor të qytetarit gjilanas.

“Vitin 2017 e kemi mbyllur pa obligime buxhetore, ndërkaq që sivjet do të jemi dëshmitarë të investimeve të mëdha publike në Gjilan”, ka thënë Haziri, ndërkohë që i ka përmendur veç e veç të arriturat nëpër drejtori.

Raporti i punës, i cili është miratuar me 21 vota për dhe 13 kundër, është vlerësuar pozitivisht nga grupimet politike, LDK, AAK, Nisma e AKR, nëpërmjet këshilltarëve Avdyl Aliu, Mimoza Kadriu, Nazim Gagica, Shemsedin Ramushi, Enver Hajrullahu, Anila Tusha e Ramiz Ramadani, ndërkaq është cilësuar sipërfaqësor nga VV e PDK, nëpërmjet Nevzad Isufit, Riza Abdylit, Shefik Surdullit, Bujar Nevzatit, Arijeta Rexhepit, Arbëreshë Kryeziut, Nehat Osmanit, Xhelal Hajrullahut, të cilët, pos vërejtjeve, kanë parashtruar edhe pyetje për çështje konkrete, ku pos kryetarit Haziri, varësisht prej sektorëve, janë përgjigjur edhe drejtorët Naser Korça (DSHP), Nexhat Hajrullahu (DSHMS), Valon Shefkiu (DUMM), Majlinda Hoxha (DA) si dhe Avdyl Jerliu (DBF).

Përndryshe, kryetari Haziri ka theksuar se raporti është një prezantim përmbledhës i punës së qeverisjes, i cili nuk i përmban të gjitha hollësitë, por i ka inkurajuar këshilltarët komunalë që të adresojnë pyetje për çdo interesim që mund të kenë.

“Vlerësimin politik për punën time e kanë dhënë qytetarët, në zgjedhjet e vitit 2017, ndërsa anëtarët e Kuvendit mund të japin vlerësim teknik për punën e pasqyruar në raport”, ka thënë Haziri, duke rikujtuar se gjatë qeverisjes së tij, është arritur të ulen shpenzimet dhe të rriten investimet kapitale.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë pasur disa mangësi në qeverisje, që kanë ndodhur si pasojë e mungesës së një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve komunalë, të cilët është dashur të pezullohen përkohësisht për shkak të aktakuzës që ndaj tyre ka ngritur Prokuroria për dyshime të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sa i përket ekzekutivit, ai ka theksuar se emërimet e reja do të bëhen pas miratimit të ndryshimeve në statutin e Komunës dhe konsultimeve gjithëpërfshirëse me subjektet politike.

Përndryshe, Kuvendi ka miratuar edhe përbërjen e komiteteve, si trupa ndihmëse të Kuvendit, pas një konsensusi shtesë që është bërë ndërmjet grupimeve politike rreth vendeve të përfaqësimit, që siç ka thënë kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, është bërë sipas formulës së dakorduar në raport me ulëset që mbajnë partitë politike në vendimmarrjen komunale si dhe duke respektuar kriterin gjinor, i cili do të rishikohet deri të martën, nëse nuk është plotësuar ashtu siç kërkohet – 50:50.

Kuvendi Komunal ka miratuar vendimin për ndarjen e dy lokacioneve për ndërtimin e fushave sintetike të futbollit, të cilat siç ka sqaruar Sadudin Berisha, drejtor për Kadastër, njëra do të jetë në afërsi të fshatit Livoç i Epërm dhe tjetra në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”. Meqenëse Komuna e Gjilanit ka dy klube të cilat garojnë në Superligën e Kosovës, në Gjilan do të ndërtohen dy fusha të tilla ndihmëse, me mjete të FFK-së, MKRS dhe Komunës.

Po ashtu, Kuvendi ka miratuar vendim për ndarjen e mjete financiare për fëmijët me nevoja të veçanta, në shumë prej 30,000 euro. Sqarimet e nevojshme i ka dhënë Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, i cili ka thënë se mjetet do të shfrytëzohen nga kodi për subvencione.

Sa i përket suksesit të nxënësve në gjysmëvjetorin e parë, Majlinda Hoxha, ushtruese e detyrës së drejtorit të Arsimit, ka thënë se në nivelin fillor të arsimit (1-5) kalueshmëria është 99.57 për qind, ose 0.37 për qind më i lartë se në gjysmëvjetorin e njëjtë të vitit të kaluar, kurse në nivelin 6-9 kalueshmëria është 85.8%, ose 5.6 për qind më i lartë se në gjysmëvjetorin e njëjtë të vitit paraprak. Në arsimin e mesëm (10-12), me sukses pozitiv kanë dalë rreth 53 për qind të nxënësve, ose për 1.8 për qind më pak se në gjysmëvjetorin e njëjtë të vitit shkollor 2016/2017.

“Bazuar në të dhënat statistikore, del se në nivelin 1-5 dhe 6-9, ka pasur një zhvillim pozitiv sa i përket vlerësimit dhe vijueshmërisë, në krahasim me vitin paraprak, kurse në nivelin e arsimit të mesëm (10-12) ka pasur një rënie të lehtë të suksesit. Në këtë nivel të arsimit, sfidë mbetet edhe vijueshmëria e nxënësve”, ka thënë Hoxha.

Një informatë rreth organizimit dhe mbarëvajtjes së manifestimit “Flaka e Janarit” 2018 e ka dhënë Bashkim Nexhipi, përgjegjës për kulturë, i cili ka thënë se ky aktivitet i madh kulturor, sivjet i është kushtuar Skënderbeut. Manifestimi mëton që përmes vlerave më të larta artistike të nderojë veprën sublime të të gjithë martirëve, dëshmorëve dhe heronjve të kombit, të rënë nëpër janarët e historisë shqiptare.

Manifestimi i sivjetmë është përkrahur financiarisht edhe nga Qeveria e Kosovës, me një shumë prej 54.850 euro.

“Flaka e Janarit” 2018, si një mega-manifestim tradicional mbarëkombëtar, me të cilin identifikohet Gjilani, është organizuar si është më së miri, në të gjitha shtyllat e tij, që nga 11 janari, kur hapet e deri më 31 janar, kur është përmbyllur me shumë sukses”, ka thënë Nexhipi.

Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për hapjen e dëgjimit publik për statutin e Komunës.

You Might Also Like