Gjilan, 22 janar 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka apeluar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë e Kosovës që të hapin dialogun për të gjetur zgjidhjen në mënyrë që greva të ndërpritet në favor të kërkesave të arsimtarëve.
Komuna e Gjilanit njofton se të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, sikurse insitucionet parashkollore janë në grevë nga 14 janari.
Orari i mbajtjes së grevës së përgjithshme për të gjitha institucionet arsimore deri tani ka filluar çdo ditë nga ora 9:00 deri në 12:00.
Kryetari i Gjilanit, së bashku me drejtorin e DKA-së, Nazim Gagica, gjatë vizitave nëpër shkolla ka takuar mësimdhënësit dhe strukturat sindikale, duke kërkuar që të gjendet zgjidhja sa më e shpejtë e mundshme mes SBASHK, MASHT dhe Qeverisë për shkak se humbja e mësimit është humbje e madhe për nxënësit.
Përndryshe, në shkollat e komunitetit serb dhe rom në komunën e Gjilanit mësimi është duke u zhvilluar normalisht.