Gjilan, 25 gusht 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndarë mirënjohje për Remzije Sherifi, për suksese të mëdha të treguara në Skoci si prijëse e organizatës “Maryhill Integration Network”, me programet në arsim, shëndetësi, kuturë dhe punë që kanë të bëjnë me afrimin e komuniteteve dhe imtegrimin e tyre.
“Kam nderin e veçantë që sot t’i ndaj mirënjohje zonjës Sherifi nga Gjilani. Është një emigrante në Skoci, mirëpo qëndrimi i saj atje, puna dhe angazhimi i vazhdueshëm, na ka bërë krenar neve si Gjilan, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Është shpallur “Gruaja Emigrante e Vitit” në Britaninë e Madhe në vitin 2013 dhe është në mesin e dhjetë grave më të shquara në shtetin e Skocisë në vitin 2017”, ka thënë kryetari Haziri derisa i ka ndar mirënjohje për personalitete të veçanta të Gjilanit.
Ndërsa në fjalën e saj Remzije Sherifi ka thënë se është hera e parë që një institucion në Kosovë vlerëson punën dhe angazhimin që ajo ka bërë në vazhdimësi.
“Falënderoj kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, që i pari në rrugë zyrtare më ka dhënë kurajo dhe në një mënyrë më mbështet me këtë mirënjohje, sado simbolike që të jetë”, ka thënë Sherifi.
“Kam marrë dekorata e mirënjohje të shumta, jamë shpallur “Gruaja Emigrante e Vitit”, jam në mesin e dhjetë grave më aktive në Skoci, punojmë në projekte ndërkombëtare. Kosova do të jetë në mesin e shteteve të ndryshme që do të prezantojnë në projektin për një mijë rrëfime, mirëpo kjo mirënjohje është e veçantë dhe do të mbetet e tillë gjithmonë”, ka thënë ajo ndër të tjerash.
Ajo më tej ka bërë të ditur edhe disa projekte me të cilat është duke u marrë në këtë kohë në Skoci. Siq ka bërë të ditur në fokus, pos tjerash, ka edhe mbështetjen për gratë e dhunuara në Kosovë për afirmimin e komuniteteve që jetojnë në Skoci dhe promovimin e vlerave kulturore, kudo në botën e jashtme.
Ndërsa Prishtina siç ka bërë të ditur do të jetë nikoqire e shumë përfaqësueseve botërore në konferencën e përbashkët që do të mbahet në fillimin e vitit 2019.