Kalojnë vite, kalojnë edhe dekada, ndërsa kujtimi për dëshmorin e kombit, Ibrahim Uruçi-HUSHI, mbetet i freskët në mendjet tona në historinë e kombit tonë.
“Hushi” siç e thërrisnin të gjithë Ibrahim Uruçin, është nderi dhe krenaria e popullit të Kosovës. Vetëflijimi i tij është lapidari kryesor i lirisë. Kujtimi për “Hushin” nuk shuhet kurrë, ai është gjithmonë në mendjet e zemrat tona ashtu siç është dielli i pranishëm në tokë me rrezet e tij.
Tek Ibrahim Uruçi që nga rinia e hershme ishin vërejtur shenjat e trimërisë, guximit e patriotizmit për kombin e atdheun.
Sakrifica e Ibrahim Uruçit u ndërtua për liri, ai shpesh thoshte,” Liria ndërtohet me jeta të rënësh, ndërtohet me gjak e ndërtohet me dëshmor. Pa dashuri ndaj atdheut nuk ka liri”.
Nëpër shtigjet që hapi “Hushi” me shokët e tij duke shkrirë jetët e tyre të njoma ku marshuan e luftuan krenarë, UQK-ja është amanet i cili është obligim i ynë për ta ngritur në piedestalin më të lartë të sakrificës për çlirimin e atdheut.
Ibrahim Uruçi krenaria e kombit shqiptarë, luftoi gjoks me gjoks me forcat serbe, ai ishte i vendosur e sy shqiponje me zemër luani, ai nuk diti se çka është frika edhe pse shumë herë i dërmuar nëpër kazamatet serbe, Ibrahim Uruçi bëhej edhe më i fortë drejt lirisë së popullit të tij.
Dëshmori i kombit Ibrahim Uruçi-HUSHI, ra në altarin e lirisë në lagjen e Bullovit në Marec me 21 prill të vitit 1999, për të mos vdekur e harruar kurrë.
Sot me shumë krenari e nostalgji për këtë trim të kombit shqiptar, emrin e tij e mbajnë edhe rrugë në Gjilan e shkolla fillore ne Bresalc.
I lart është çmimi i lirisë, ai lahet me gjak për të jetuar gjeneratat e ardhshme në liri. Lavdi, i qoftë i lehtë dheu i Kosovës, dëshmorit të kombit, Ibrahim Uruçi-Hushit.