OPINION

Iku një njeri shumëdimensional!

Lajmi për vdekjen e Hasan Bunjakut, njërit nga gazetarët më me përvojë dhe me plotë të drejtë doajenit të gazetarisë, ishte pikëllues jo vetëm për familjarët e tij, por për gjithë qytetin e Gjilanit
Baci Hasan, siç e quanim e njihja kaherë, mirëpo bashkëpunimin në sferën e gazetarisë e patëm para luftës, në livadhet e Malishevës, nëpër sallat e improvizuara gjatë pavarësimit të sportit kosovar.
Përveç, që ishte njohës i mirë i rrethanave shoqërore politike, kulturës, artit, ishte edhe njohës i mirë i sportit e veçmas futbollit.
Ai gjatë punës shumëvjeçare në sferën e gazetarisë i kishte shtangur kolegët e tij serbë, maqedonë, malazezë me përshkrimin, pasqyrimin, leximin dhe vlerësimin e lojës së futbollit.
Kjo kishte ndodhur shpesh herë, kur ish KF “Crvena Zvezda”, që bënte gara në Ligën e Dytë Federative të ish Jugosllavisë, grupi Lindje.
Gjatë ndeshjeve si mysafir, baci Hasan në cilësinë e gazetarit pothuajse ishte në çdo takim, me raportet e tij nga vendi i ngjarjes.
Ai kishte një stil të veçantë në gazetari, shkruante me periudha të gjata, sillte fjali të reja, ishte kreativ, logjik dhe profesional.
Ngjarjet dhe meseletë i përshkruante me një elekuiencë të paparë.
Me një modesti të rrallë dhe të sinqertë, si një ‘plakë’ i urtë i këshillonte dhe udhëzonte vazhdimisht gazetarët e rinj.
Do të mbetet pa dyshim emër i spikatur i jetës kulturore dhe i gazetarisë në Gjilan. Si njeri me vlera qytetare, njerëzore e kombëtare.
Ai la gjurmë të pashlyeshme për qasjen dhe penën e tij në gazetari.
Shpirti i tij pushoftë në paqen e pasosur të amshimit!
Lamtumirë baci Hasan!
Fehmi Sylejmani

You Might Also Like