Gjilan, 8 tetor 2018 – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli me bashkëpunëtorët, ka pritur në takim pune menaxheren kryesore të programeve CBC në kuadër të Komisionit Europian në Kosovë, Merita Mushkolaj, me të cilën ka diskutuar lidhur me mbarëvajtjen dhe monitorimin e projektit “Tregu i qëndrueshëm për produkte të freskëta të farmerëve në zonën kufitare të Komunës së Gjilanit dhe Kumanovës”.
Nënkryetari Ismajli, në emër të kryetarit Haziri, e ka falënderuar Komisionin Europian për mbështetjen për Gjilanin në këtë dhe disa projekte të tjera në të mirë të qytetarëve, duke shtuar se projekti për modernizimin e tregut të gjelbër po ecën suksesshëm.
Implementimi i këtij projekti ka për qëllim rekonstruktimin e tregut për produkte të freskëta dhe rritjen e shitjes së produkteve vendore, sikurse edhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe grave në shitjen produkteve të freskëta në tregun e gjelbërt.
Përndryshe, pas implementimit të projektit për bashkëpunim kufitar mes Gjilanit dhe Çairit dhe ndërtimit të parkut në lagjen “Dardania”, ky është projekti i radhës që Komuna e ka fituar falë performancës së mirë të qeverisjes të cilën e udhëheq kryetari Lufi Haziri.