Futboll

Ja me kë do të përballen ekipet e Anamoravës në Ligën e Parë të Kosovës në Futboll

Në Ligën e Parë të Kosovës në futboll do të zhvillohet xhiroja e pesëmbëdhjetë e cila pritet të jetë tejet interesante. Kështu Vitia, që është ekipi më i mirë anamoravas në Ligën e Parë të Kosovës këtë fundjavë në fushë të vet prêt ekipin e Fushë Kosovës. Me fitore eventuale, Vitia edhe më tej do të forconte pozitën e saj në kreun e tabelës, andaj besohet se djelmoshat e Milaim Zuzakut, që janë në formë shumë të mirë edhe këtë fundjavë do të shënojnë fitore.

Vllaznia e Pozharanit do të jetë mysafire e Trepcës në Mitrovicë. Ekipi pozharanas që po kalon nëpër një fazë shumë të vështirë do të udhëtojë në Mitrovicë për të nxjerrë rezultat të favorshëm, por edhe Trepçës pikët i janë shumë të nevojshme, andaj pritet që ky të jetë një ballafaqim tejet interesant.

Edhe Bashkimi i Koretinit do të ketë një punë shumë të vështirë, ngase në fushë të vet e prêt Vllaznimin e Gjakovës, ekip ky që papritmas në xhirot e fundit ka shënuar rezultate të dobëta, andaj edhe ka shënuar rënie në tabelë. Vllaznimi mëton që të këndellet pikërisht në këtë ndeshje, por edhe Bashkimi mëton pikë nga kjo ndeshje, andaj pritet një rezultat shumë i paqartë.

Më së vështiri nga të gjitha ekipet pozharanase do t’a ketë Kika e Hogoshtit, që këtë fundjavë do të jetë mysafire e Besës në Pejë, ekip ky që sivjet ka paraqitje shumë të mirë dhe synim parësor e ka rikthimin në elitën e futbollit kosovar. Edhe Kika ka bërë llogaritë e veta, andaj hogoshtasit besojnë në rezultat pozitiv.

You Might Also Like