Jemi futur në javën vendimtare, ku në fundjavë do të startojë edicioni i ri në Superligën e Kosovës në futboll.
Njëri nga stadiumet me gjendje të tmerrshme është ai i qytetit të Gjilanit, ku tani e disa vite po punohet shumë ngadalë nga ministria për mos të thënë fare.
Përkundër gjendjes së rëndë të stadiumit, ndeshjet do të luhen me tifozë.
Gazeta Olle ka kontaktuar drejtorin sportiv të Dritës, Valon Zymberi i cili ka thënë se nuk kanë barometër të saktë se sa tifozë mund të futën, por si klub do të mundohen të mbajnë distancën sociale.
“Nuk kemi asnjë barometër të saktë për shkak se edhe tribunat janë në ndërtim e sipër, por ajo që do të mundohemi të bëjmë në fillim do të jetë që të ruajmë distancën sociale dhe në bazë të kësaj do të shohim se sa tifozë do të kenë mundësi të futën në stadium”, tha fillimisht Zymberi.
Njeriu kryesor për transferimet e Dritës tha se do gjatë qëndrimit në stadium, tifozët duhet ta mbajnë maskën dhe distancën sociale.
“Ne si klub do të jemi strikt që të pranishmit në stadium të bartin masat mbrojtëse si maska dhe distanca. Distanca sociale duhet të jetë 1,5 metra dhe maska mbrojtëse nga të pranishmit”, deklaroi Zymberi.
Krejt në fund Zymberi tha se beson që do të lejojnë nga 1200 deri në 1300 tifozë.
“Nëse i shfrytëzojmë tribunat parap portave edhe tribunën e vjetër ekzistuese, besoj që dikund 1200 deri në 1300 persona mund të futën në stadium”, tha Zymberi.
Drita ndeshjen e parë në elitën e futbollit kosovar do ta zhvillojë të shtunën ku pret Feronikelin.