OPINION

Jo taksa por Serbia po e pengon dialogun

Ismajl Kurteshi

Problemi qëndron këtu:

Për Serbinë normalizim i marrëdhënieve me Kosovën do të thotë bosnizim, ndërhyrje, mos pranim i pavarësisë, mospranim i parimit të reciprocitetit, shfrytëzim ekonomik i Kosovës.

Për Kosovën normalizim i marrëdhënieve me Serbinë do të thotë njohje dhe respektim reciprok i dy vendeve të pavarura.

Serbia, me propagandën e saj shpifëse ka arritur me i bind shumë miq të Kosovës, madje edhe politikan dhe qytetar të vendit, se vendosja e taksës në prodhimet serbe është bërë pengës për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, që do të duhej të përfundonte me një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të dy vendeve.

Por e vërteta është se po të mos ishte taksa, Serbia do ta gjente njëqind arsye të tjetër për ta komplikuar situatën.

Serbia, po ashtu i ka bind shumë faktor se marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse Kosova bënë edhe më tutje kompromise( të cilat do ta dëmtojnë më tutje shtetësinë e Kosovës).

Realisht Kosova do të duhej të shtroj shumë kushte para se të pranonte të hynte në dialog me Serbinë. Faji për situatën e krijuar, ku Serbia, borxhliu i madh i Kosovës, në vend se t’i kthej borxhet po i shtron kushte Kosovës, natyrisht bie mbi ata që e kanë përfaqësuar Kosovës në këto bisedime, në të cilat kanë shkuar të pa përgatitur, pa parime, pa strategji, të gatshëm për kompromise të dhimbshme për vendin.

Nga logjika e kompromiseve të reja përfundimisht përfaqësuesit e Kosovës duhet të heqin dorë, sepse përkundër shumë kompromiseve që e kanë dëmtuar rënd funksionimin e shtetit të Kosovë, ja kanë mundësuar Serbisë që të ndërhynë në punët e brendshme të Kosovës.

Serbia megjithatë, asnjëherë nuk është kënaq, ajo ka kërkuar kompromise të reja dhe ka punuar edhe më shumë për shkatërrimin e Republikës së Kosovës.

Përvoja na mëson se me Serbin duhet të negociohet vetëm nga pozita plotësisht të barabarta, duhet të negociohet vetëm për raportet ndërshtetërore pa pranuar kushte dhe pa bërë kompromise.

Çdo qasje tjetër do të jetë gabim fatal që do ta gjymtoj rënd shtetin e Kosovës dhe konflikti do të mbetet i hapur.

Taksa nuk është pengesë as për dialog as për normalizim.

Pengesë është të kuptuarit ndryshe të nocionit “normalizim”.

Për Kosovën normalizim i marrëdhënieve me Serbinë do të thotë njohje dhe respektim reciprok i dy vendeve të pavarura.

Për Serbinë normalizim i marrëdhënieve me Kosovën do të thotë bosnizim, ndërhyrje, mos pranim i pavarësisë, mospranim i parimit të reciprocitetit, shfrytëzim ekonomik i Kosovës.

Mentaliteti hegjemonist i Serbisë, e cila nuk mundet me u pajtuar me Kosovën shtet të pavarur, është pengës për dialogun e sidomos për marrëveshjen e qëndrueshme.

Ismajl Kurteshi, mars 2019

You Might Also Like