Klubi i Hendbollit Drita nga Gjilani është emër i njohur në hendbollin kosovar, që nga kohërat kur hendbolli gjilanas mbushte palestrën përplot. Gjatë okupimit, KH Drita ishte organizatore e garave, duke u mundësuar ekipeve kosovare që të zhvillojnë kampionatin, atë kohë në ambient të hapur në fushën e Shkollës Fillore „Selami Hallaqi“, kurse edhe pas lufte, KH Drita ishte një klub i organizuar e me rezultate të mira.
Viteve të fundit, në KH Drita pati ngecje dhe rezultatet nuk ishin ato që priteshin, ngase mungonte një organizim i mirëfilltë, por sivjet ishte krejt ndryshe, ngase deri në xhiron e fundit, KH Drita luftoi për pozitën e dytë në tabelë, menjëherë pas Besës nga Peja.
Luan Sllamniku, trajner është njëri nga meritorët për këto rezultate, sikurse edhe trajneri Erhan Shahini, që pak para mbylljes së stinorit vjeshtor u tërhoq për të sforcuar edhe më shumë zejen e trajnerit. Edhe lojtarët, ku janë gërshetuar përvoja e lojtarëve dhe vullneti rinor dhanë kontribut të çmueshëm në këto rezultate që janë të lakmueshme.
Luan Sllamniku
Siç thekson Luan Sllamniku, trajner, sivjet janë të kënaqur me rezultatet e arritura. Sllamniku, thekson se ekipi i tij këtë stinor e ka mbyllur në pozitën e katërt me 20 pikë të tubuara, duke arritur nëntë fitore, dy barazime dhe tri humbje.
„Me pak fat dhe disiplinë më të shtuar do të mund që shumë lehtë të ishim në pozitën e dytë, por edhe kjo pozitë ku jemi tashti është sukses i madh për KH Drita“, thotë Luan Sllamniku, që ka shtuar se në stinën e pranverës do të mobilizohen edhe më shumë për të arritur qëllimin.
Sllamniku ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë maksimumin për këto rezultate, sikurse që ka falënderuar shikuesit që gjatë gjithë këtyre ndeshjeve u kanë dhënë përkrahje.