Gjilan

Kjo është dhoma e burgut famëkeq ku ka qëndruar Lutfi Haziri 18 vite më parë

Gjilan, 15 qershor 2017 – Një ngjarje e rëndësishme është shënuar sot në Ditën e Çlirimit, pasi dyertë e burgut të Gjilanit janë hapur për qytetarët.

I pari që hyri brenda ka qenë kreu i Gjilani, Lutfi Haziri. Nga dhoma ku ka qëndruar për disa muaj në vitin 1998, nën akuzën për pjesëmarrje në kryengritje të armatosur, Haziri e ka cilësuar si burgun më famëkeq në ish-Jugosllavi.

“Këtu kush ka hy, ka qenë dhuratë me mbijetu. Ka qenë burgu hetues më i tmerrshëm që e ka njohur ish-Jugosllavia. Kështu që, unë dhe kolegët e mi në Gjilan e kemi dhuratë nga Zoti jetën dhe daljen nga ky burg”, thtë Haziri.

“Krejt kohën e burgut e kam kaluar në këtë qeli. Nuk ka pasë krevat edhe pse unë jam burgosur në tetor. Ka qenë dhomë e izolimit dhe dhomë e vetmisë. Në këtë burg, kanë vdekur një numër i madh i të burgosurve shqiptarë në ish-Jugosllavi, disa prej të cilëve janë heronjë të Kosovës”, ka shtuar kryetari Haziri.

Kryetari Haziri ka uruar që kohë të tilla të mos ketë askund, ndërkaq për objektin e burgut tha se do ta bëjnë objekt të paqes.

“Kemi me kthy në objekt të paqes, ku të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët do të mund ta vizitojnë. Kujtimet e tmerrshme do t’i kalojnë vetëm të kaluares”, përfundoi kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ish i burgosur politik nga ish-Jugosllavia.

Objekti i burgut do të qëndroj i hapur për vizitorët deri ne muajin tetor, për t’ia përshatur më pas nevojave të Komunës.

You Might Also Like