LAJME

Komuna e Gjilanit mban dëgjim buxhetor në Llashticë e Zhegër

Gjilan, 24 gusht 2018 – Komuna e Gjilanit, respektivisht nën organizimin e Komitetit për Politikë dhe Financa dhe drejtorisë së Buxhetit, ka mbajtur dëgjimet buxhetore me banorët e fshatrave Llashticë dhe Zhegër, (me pjesëmarrës edhe nga fshatrat Lladovë, Nasal, Pidiq, Stançiq, Shurdhan, Haxhaj, Selishtë, Demiraj, Çelik, Dunav), ku kanë prezantuar planifikimin fillestar të buxhetit dhe kanë pranuar kërkesat e qytetarëve për projekte të ndryshme.

Në hapje të këtyre dëgjimeve, ka marrë pjesë Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK në Kuvendin Komunal, drejtori për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani dhe ai i Shërbimeve Publike, Naser Korça.

Dëgjimi publik është në funskion të përgatitjes së buxhetit të Komunës së Gjilanit, për vitin fiskal 2019 dhe planifikimin e hershëm për vitin 2020-2021.

ProcesiiI buxhetimit është i dizajnuar ligjërisht që të kaloj nëpër tetë faza dhe pjesa e dëgjimeve buxhetore është faza e pestë, për t’u përmbyllur me miratimin përfundimtarë në Kuvendin e Komunës dhe dërgimin në Ministrinë e Financave.

Avdyl Aliu, shef i GK të LDK-së në emër të Komitetit për Politikë dhe Financa, ka thënë se që nga viti 2014 Komuna e Gjilanit për herë të parë ka përgatitur buxhetin vjetor me inkorporimin e kërkesave të fshatrave, duke inkorporuar projektet prioritare për investime publike.

“Komuna e Gjilanit që nga viti 2014 organizon dëgjime buxhetore në lokalitete të ndryshme dhe kërkesat e qytetarëve janë inkorporuar gjithmonë në buxhetin vjetor, në kuadër të mundësive financiare që ka Komuna. Na vjen shumë mirë që numri i kërkesave të qytetarëve të cilat, ishin nëpër dëgjimet buxhetore të viteve të kaluara, tashmë nuk janë meqë Komuna e udhëhequr nga Lutfi Haziri, në bazë të programit të tij dhe në bazë të vlerësimit të tij për një jetë më të mirë për qytetarët, ka realizuar shumicën prej tyre. Kërkesat e qytetarëve gjithmonë do të trajtohen me përkushtim dhe në bazë të prioriteteve”, ka thënë Aliu.

Banorët e këtyre fshatrave i kanë paraqitur kërkesat e tyre, të cilat kryesisht ishin për investime në rrjetin e kanalizimit, trotuareve, ndriçimit publik, asfaltimit dhe projekteve që kanë të bëjnë me mjedisin dhe hapësirave të gjelbërta.

Përndryshe, sot mbahet dëgjimi buxhetor në Cërnicë, në ora 16:30, kurse në Livoç të Ulët në ora 18:00.

You Might Also Like