Komuna e Vitisë dhe Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim të shumanshëm në funksion të zhvillimit institucional. Nënshkruesit e marrëveshjes, rektori i UKZ-së Bajram Kosumi dhe Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti, kanë thënë se të dy institucionet që ata drejtojnë, me nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë, do të kenë qëllim të përbashkët- përkrahjen e studentëve gjatë studimeve dhe identifikimin e iniciativave për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e gjithëmbarshëm socio-ekonomik të rajonit ekonomik të dy institucioneve.
Bashkëpunimi ndërmjet dy Institucioneve do të përfshijë, mundësimin e mbajtjes së punës praktike për studentët e UKZ-së, nëpër drejtoritë komunale të Komunës së Vitisë, përkrahjen e studentëve të Komunës së Vitisë me bursa studentore komunale, zhvillimin e programeve hulumtuese, projekteve kërkimore-shkencore, dhe projekteve të tjera të cilat janë me
interes të të dy institucioneve, organizimin e përbashkët të konferencave, trajnimeve, seminareve, ngjarjeve kulturore dhe bashkëpunimeve të tjera profesionale, etj.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, është shprehur i gatshëm që të thelloj bashkëpunimin me Institucionin regjional Universitar në Gjilan dhe ka theksuar se një marrëveshje si kjo, do ti mundësoj rinisë vitiase që të ketë qasje më të lehtë dhe të favorshme në zhvillimin e programeve hulumtuese dhe programeve tjera në interes. Ai ka falënderuar edhe udhëheqësit e këtij Universiteti për ofrimin e kësaj mundësie për bashkëpunim me Institucionet komunale të Vitisë.
E Rektori Bajram Kosumi , ka uruar kryetarin Haliti për rizgjedhjen e tij si kryetar komune, derisa e ka njoftuar rreth zhvillimit dhe funksionimit të Universitetit. Rektori ka thënë se Universiteti i Gjilanit ”Kadri Zeka” do të krijojë kuadro të përgatitur për tregun e punës respektivisht kuadro për arsim, ekonomi, administrate si dhe fushat e tjera përmes te cilave Kosova por edhe rajoni do të rrisë aftësitë konkurruese në nivelin arsimor dhe aspektet e tjera./Aziz Zuka