Gjilan

Kryetari Hyseni pret një grup biznesmenësh nga Turqia, i njofton për mundësitë dhe potencialet që ofron Gjilani për investitorët e huaj

Kryetari Hyseni pret një grup biznesmenësh nga Turqia, i njofton për mundësitë dhe potencialet që ofron Gjilani për investitorët e huaj

Gjilan, 10 qershor 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me drejtorët komunalë, Riad Rashiti, Bajram Isufi e Enver Shabani, ka zhvilluar një takim me një grup biznesmenësh nga Turqia, të cilët i ka njoftuar për mundësitë dhe potencialet që ofron Komuna për investitorët e huaj.

Pasi i ka falënderuar për vizitën, kreu i Komunës ka thënë se Gjilani tashmë ka partneritet me disa komuna nga Turqia, duke përmendur edhe vizitën e fundit në Stamboll, ku tha se ka parë shumë shembuj të mirë që mund të implementohen edhe në Gjilan.

“Komuna e Gjilanit i mirëpret investitorët e huaj, duke iu ofruar lehtësira të shumta për ta”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ai ka përmendur edhe projektet dhe prioritetet në fushën e agro-turizmit, në bujqësi,  telemjekësi etj., sikurse edhe pozitën e mirë që gjendet Gjilani ku kufizohet me dy shtete dhe lidhet me korridorin e dhjetë ndërkombëtar.

Për më tepër, kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, i ka informuar biznesmenët nga Turqia për ndërrimin e lokacionit të Zonës Ekonomike prej 145 hektarëve si mundësi e madhe e operimit të bizneseve, duke përmendur si përparësi të madhe që nuk ka nevojë për asnjë kompensim pasi është krejtësisht pronë komunale, është 2 kilometra larg qytetit dhe 3.5 larg kyçjes në autostradë.​

You Might Also Like