Nën organizimin e ARS Club “Beqir Musliu” e në kuadër të “Vjeshtës Letrare të Gjilanit” në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” është promovuar libri “E gjithkohshmja andërr” e autores Donika Dabishevci, shkruan kryelajmi.com.
Ky libër ishte fitues në “Panairin e Librit 2024”, si libri më i mirë me poezi, kurse Halil Matoshi, njëri nga referuesit, duke folur për këtë libër ka theksuar se libri ka për temë luftën e fundit në Kosovë, por jo vetëm të, por edhe luftën si fenomen. Autorja e nis librin me “Granatimin” dhe e përfundon librin me poezinë “Asgjë nuk ka ndrrue”. Janë këto poezi me simbolizëm, poezi që përshkruajnë dramën e ashpër të luftës e fjala luftë kodifikohet si zezëditë. Matoshi që ka vlerësuar shumë lart poezitë e Dabishevcit, ka thënë se ky libër ia vlenë të lexohet, ngase paraqet realitetin tonë nëpër të cilin kemi kaluar.
Zyrafete Shala, kritike e artit letrar, tha se Donika Dabishevci në poezitë e saj i jep zë dramës së dhimbshme, i jep frymë ndjenjave të përjetuara gjatë luftës. Autorja sjellë imazhe të gjalla e prekëse të luftës. Poezitë e saj ndahen në katër cikle e në libër shpalosen motive të ndryshme, në të cilat autorja portretizon vulgaritetin e luftës. Edhe Arsim Halili, duke folur për këtë libër ka theksuar se në poezitë e saja Dabishevci shpreh shpirtin e shqetësuar dhe absurditetin e një intervali kohor.
Vetë autorja, pasi ka falënderuar të pranishmit, ka thënë se asaj më së paku i takon që të flas për librin, i cili tashmë është në duart e lexuesve, por ka theksuar se të gjithë e kemi përjetuar luftën e përgjakshme dhe se ky është një rekuiem poetik për të vrarët, të djegurit, të dhunuarit, nënat e mbetura pa fëmijë, nuset pa burrat e tyre, varret pa emra…
Ajo ka deklamuar një nga poezitë e saja “S’kish menu nanëzeza”, që ka ngjallë emocion tek publiku, kurse Zanë Mali gjithashtu ka deklamuar poezi të kësaj autoreje, libri i të cilës është promovuar këtë të shtunën nën udhëheqjen e moderatores, Liridonë Mehmeti. /kryelajmi.com/.