Kryetrajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, u nda i kënaqur me pikën e arkëtuar, teksa theksoi se skuadra e tij ia arriti qëllimin.
“Gjilani nuk bëri asgjë më shumë se ne, përveçse një penaltie të falur. Gjilani nuk pati asnjë rast të rrezikshëm, apo ndonjë rast për gol. Ne kemi luajtur ashtu siç jemi marrë vesh në fillimin e ndeshjes. Kemi bërë një pjesë të dytë shumë të mirë, për dallim nga ajo e para kur kemi luajtur me shumë topa kthyes prapa fushës tonë. Ne kishim udhëtuar për një pikë dhe në fund ia arritëm qëllimit”, deklaroi Lushtaku.
Më pas tekniku nga Skenderaj foli edhe për zëvendësimin e ‘gardianit’ Arion Ymeri dhe pati disa kritika për skuadrën vendase.
“Zëvendësimi i Arion Ymerit ishte një zëvendësim teknik. Nuk ishte në element në pjesën e parë dhe ishin disa çështje për tu sqaruar, por që do të mbeten mes klubit tonë”, deklaroi ndër të tjerash Lushtaku, i cili vazhdoi:
“Nëse Gjilani mendon ta fitojë titullin kampion me këtë lloj presioni atëherë do ta kenë shumë të vështirë. Duhet ndryshuar ky mentalitet, pasi që ekipet që do të vijnë në Gjilan do ta kenë më të lehtë të marrin pikë”.