Gjilan, 29 janar 2021 / Komiteti për komunitete ka mbajtur sot takimin e parë për këtë vit, nën kryesimin e Kemajl Shahin, ku është prezantuar raporti i Zyrës komunale për kthim dhe komunitete për periudhën janar-dhjetor 2020, ku fillimisht nënvizohen vështirësitë e krijuara për shkak të pandemisë Covid 19.
Në periudhën raportuese janë kthyer dy familje. Zyra, në bashkëpunim me IOM-in, ka siguruar pako ushqimore dhe higjienike për tre familje të kthyera që ishin më të rrezikuara në atë moment, dy familje nga komuniteti rom dhe një nga komuniteti serb.
Ndërkaq, në bashkëpunim me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim 20 familjeve të kthyera nga komuniteti rom u është dhënë ndihmë financiare për pagesën e qirasë.
MKK-së i është kërkuar ndihmë emergjente për 2 familje, njëra serbe dhe tjetra rome, të cilat jetojnë në kushte çnjerëzore dhe kanë nevojë për ndertimin e shtëpive.
Këto familje kanë qenë në listën e prioriteteve të MKK-së që nga viti 2017, por ende nuk janë ndihmuar.
Ndërkaq sa i përket procesit të riatdhesimi, në periudhën raportuese, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme janë kthyer 7 familje ose individë.
Komiteti e ka vlerësuar absurde heshtjen e MKK-së në rastin e këtyre dy familjeve.
‘Është absurde, për të mos e thënë më keq, se si Qeveria, respektivisht Ministria për Komunitete dhe Kthim, me gjithë atë fond për rehabilitimin e të riatdhesuarve nga shtetet perëndimore, neglizhon komunën e Gjilanit në këtë drejtim, me ç’rast asiston te rastet me gjendje më të mirë, por jo edhe tek ato me prioritet’, ka thënë Shefik Surdulli (PDK), anëtar i këtij Komiteti, duke shtuar se do të detyrohen të detyrohen të kërkojmë ndërhyrjen e misionit të OSBE-së, në mënyrë që këto familje të mos vuajnë më tutje.