Janë të rrallët personalitete kudo në botë, që aplikojnë me saktësi një porosi profetike “Të mos dijë dora e majtë, çfarë dha dora e djathtë”.
Njëri ndër ta, pa dyshim është Nexhat Aliu, pronar i firmës private Climaterm nga Gjilani, i cili me shpirtin e tij të bardhë, zemrën e hapur, dorën e lirë ka ndihmuar pa zë, në heshtje, pa kurrfarë pompoziteti e lloj marketingu.
Pa asnjë lavd të vetëm, ndihmoi sportistë, tifozë, punëtorë, kategori me asistencë sociale dhe me kushte të vështira ekonomike.
Asnjëherë nuk e ka bërë publike dhe as që ka “ngritur muskujt” apo “rrahur gjoks” për një veprim të tillë human. Bamirës, pa emër e pa reklamë.
Nexhati, ka ndihmuar me të madhe sportin gjilanas, e në veçanti futbollin. Nuk ka sportistë, tifozë, dashamirë i sportit apo edhe qytetarë i rëndomtë, që të paktën nuk e ka një ndërresë, apo ndonjë veshje tjetër sportive të dhuruar falas .
Nga zemërgjerësia e tij, më së shumti ka përfituar klubi futbollistik Gjilani, por nuk ka mbetur anash as edhe i KF Drita, të cilës i ka ndihmuar në forma të ndryshme.
Ka qenë donator dhe sponsor i KF Gjilani për vite të tëra.
Ka edhe klube tjera sportive që kanë marrë ndonjë “copë” ndihmë nga ai.
Veç ndihmave grupore për ekipet sportive, ai i ka mbështetur edhe individualisht sportistët, të cilët janë cilësuar si raste me kushte më të vështira ekonomike. Ju ka ndihmuar jo një herë, sa për të thënë, por shpesh, madje në periudha të gjata kohore, pa e ditur askush.
Nuk ka ndonjë futbollistë që ka pasur ndonjë ndërhyrje kirurgjike, që ka pësuar gjatë lëndimeve në fushën e blertë, e që nuk është ndihmuar materialisht e moralisht nga Nexhati.
Një pjesë e futbollistëve të lënduar janë operuar në ordinanca të ndryshme private, e që ka qenë e pamundur të mos ndihet dora e tij.
Ai përherë është përkujdesur për raste të tilla, pa i kërkuar askush ndonjë ndihmë eventuale. Për më tepër, nga modestia e tepruar, as që e ka pohuar ndonjë herë se ka ndihmua x apo y sportistin.
Humanizmi i Nexhatit ka prekur edhe sektorin për kulturë, rini, arsim e shëndetësi, grupe të margjinalizuara si dhe Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan.
Ka ndihmuar shkolla, çerdhe, xhami, shoqata të ndryshme humanitare, mësimdhënës , mjekë, pjesëtar të Policisë së Kosovës, punëtorë fizik, administrativ, teknik e çka jo tjetër.
Përveç ndihmës së heshtur e të pandërprerë, u dallua për kontributin e tij në organizimin e lojës së futbollit të vogël. Pikërisht, edhe sot, në këtë lojë magjepse dhe atraktive, ai nuk ndalet së ndihmuari, duke mbajtur në kontinuitet dy ekipe futbolli me të gjitha pajisjet e nevojshme sportive.
Nexhati, gjithsesi, mbetet një emër i spikatur për tifozerinë e ekipeve sportive gjilanase, sepse edhe këtu ai ka ndihmuar, me forma të ndryshme.
Njihet si njeri me vlera qytetare, njerëzore e kombëtare.
Modest, i sinqertë, i dashur, i urtë, ferr e korrekt, unikat, i papërsëritshëm, pedant e i pashëm. Besnik, sentimental e senzitiv, fisnik, bujar, tolerant, i shoqërueshëm e përherë i fjalës.
Ai krijoi identitetin e tij prej një qytetari human dhe i pa zëshëm, shembull i një afaristi vizionar, sportist e dashamir i sportit.
Emblemë e mirësisë dhe dashurisë njerëzore përgjatë rrugëtimit të tij me plot sfida. Një “margaritar’ i humanizmit, një personalitet brilant dhe me çiltërsi shpirtërore!!!
Ai la gjurmë të pashlyeshme për humanizmin e tij në Gjilan e më gjerë.
Ky qytetar me kulturë të gjerë, gëzon reputacion të madh, çmohet dhe vlerësohet shumë në mesin e sportistëve dhe qytetarëve të komunës së Gjilanit. /Kryelajmi/