Futboll

Nuhiu: Do ta rrespektojmë kampionatin deri në fund, nesër për fitore

Nuhiu: Do ta rrespektojmë kampionatin deri në fund, nesër për fitore

Në prag të ndeshjes së 32-të kampionale, FC DRITA – KF Drenica, klubi ynë ka mbajtur konferencë për media.

Kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Drilon Islami folën për përgatitjet e ndeshjes dhe kundërshtarin e rradhës, duke theksuar se DRITA duhet ta bëjë më të mirën që kjo ndeshje të mbyllet në favorin tonë.

Trajneri, Nuhiu tashmë ka analizuar kundërshtarin, duke e vlerësuar si skuadër që luan futboll të mirë.

“Ata vërtetë luajnë futboll të mirë me pasime të shkurtra, vertikalizime, e të shpejtë në sulm. Skuadra jonë në ndeshjen e fundit kemi marrë disa dëmtime të futbollistëve ndoshta edhe për shkak të fushës. Kam besim të plotë se futbollistët tanë do të bëjnë maksimumin, do të bëjnë një ndeshje të mirë nesër ndaj një kundërshtari që mundohet ta posedojë topin dhe ne sigurisht do të mundohemi që ta prishim këtë strategji dhe ta kemi posedimin, të ndërtojmë dhe të dalim ta fitojmë ndeshjen”, theksoi Nuhiu.

E për angazhim dhe fitore do të luftojnë ai me bashkëlojtarët, tha futbollisti ynë, Drilon Islami.

“Ekipi ynë është përgatitur në maksimum për ndeshjen ndaj KF Drenica. Do të hyjmë në lojë me synim që të dalim me rezultat pozitiv. Besoj se motivi nuk do të na mungojë dhe ta bëjmë më të mirën në pjesën e mbetur të kampionatit, në finalen e Kupës dhe garat në Evropë”, deklaroi Islami.

Kryetrajneri, Ardian Nuhiu tha se në planet e tij janë që në ndeshjet e mbetura t’u krijohet hapësirë futbollistëve që patën më pak minuta inkuadrimi, duke theksuar se FC DRITA do të rrespektojë në maksimum kampionatin.

“Futbollistët do të kenë minuta që të kenë mundësi të shprehen e t’i tregojnë aftësitë e tyre. Por, duhet të kemi kujdes dhe futbollistët e tjerë t’i mbajmë në formë, sepse na pret një ndeshje që i gjithë fokusi ynë është në finalen e Kupës. Ndonëse, DRITA ka siguruar daljen në Evropë, duam ta kthejmë atë trofe në qytetin e Gjilanit, sepse do të ishte edhe më e bukur qe ne ta fitonim atë”, përfundoi Nuhiu.

Ndeshja FC DRITA – KF Drenica zhvillohet të dielën, ora 15:00 në stadiumin sintetik (te rrethi), Gjilan.

Konferencën e plotë mund ta ndiqni në profilin zyrtar të klubit, https://fb.watch/cJ4Y-mi7s_/

FC DRITA⬜🟦

You Might Also Like