Gjilan

Plani Zhvillimor Komunal, plan strategjik për tërë territorin e komunës

Nën organizmin e Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan është mbajtur debati i radhës që i referohej Projektit të Planit Zhvillimor Komunal për periudhën 2020 – 2028, në të cilën nga ekspertë dhe zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, e kanë vlerësuar se tani më është hartuar një dokument i mirë, një draft dokument që është një dokument strategjik për tërë territorin e komunës dhe që është vënë në dispozicion 30-ditor për t’iu nënshtruar shqyrtimit publik.

Përfaqësues nga drejtoria përkatëse, thanë se dokumenti, si i tillë, është i gatshëm për t’u dërguar në Kuvend për aprovim, qysh në seancën e radhës që mund të mbahet, megjithatë ata kanë kërkuar që të shfrytëzohet kjo periudhë kohore që qytetarët apo edhe subjektet tjera të japin kontributin e tyre për t’u plotësuar e ndryshuar për të mirë ky dokument para se të aprovohet.

Fadil Sherifi nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit ka bërë me dije se në këtë plan është punuar që dy vite dhe se tani kemi të gatshëm një draft dokument që është ekspozuar edhe në hollin e drejtorisë dhe se pret që për periudhën 30-ditore, qytetarët, subjektet e interesuar, të vijnë dhe të japin kontributin e tyre që dokumenti të plotësohet para se të aprovohet.

Ai pati vërejtje për mosinteresimin e qytetarëve kur dokumenti në fjalë iu është nënshtruar debateve publike të deritanishme pasi tha se zhvillimet për një periudhë tetëvjeçare e më gjatë, që i parasheh ky plan strategjik, do të ishte mirë që ta kenë të përfshirë kontributin e të gjithë individët dhe subjektet të interesuara.

Sherifi tha se me një plan të tillë strategjik multisektorial, parashihen plane zhvillimore afatgjate në fushën e zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor. Sipas tij, aprovimi i një plani të tillë do t’i hapte pastaj rrugë, Hartës Zonale.

Kontribut në këtë debat dha edhe zyrtari tjetër i Drejtorisë së Urbanizmit, Shaqir Ukshini, i cili po ashtu kërkoi nga qytetarët që të jenë aktiv e të vijnë në shqyrtime publike sepse bëhet fjalë për interesin e tyre, dhe po ashtu ta shfrytëzojnë periudhën 30-ditore që të vijnë edhe në Drejtori sepse kërkesat. sugjerimet, ndryshimet që mund ta plotësojnë dokumentin do të merren parasysh derisa një dokument i tillë është akoma i pa aprovuar. Në të kundërtën kur të aprovohet nga kuvendarët një dokument i tillë, ndryshimet janë të pamundshme për periudhën sa e parasheh dokumenti.

Shaqiri tha se ky dokument i ka paraparë të gjitha nevojat zhvillimore strategjike për komunën dhe se aprovimi i tij sa më parë do të ishte i një rëndësie të madhe pasi do t’i hapte rrugë hartimit të dokumenteve tjera të nevojshme.

Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se qytetarët po shqetësohen se ka “ngulfatje” në qytet, si po ndërtohet deri më tani, ndërsa si shqetësim përmendi mungesën e një nënkalimi te shkolla “Thimi Mitko” në qendër të Gjilanit dhe se sipas tij mungesa e tillë mund të bëjë që qytetarët të protestojnë e bllokojnë rrugën. Po ashtu ai përmendi edhe ndryshimet që po bëhen në realizimin e projekteve e përmendi me theks rrugën qarkore.

Përndryshe, në këtë debat me fjalët, pyetjet dhe interesinin e tyre kontribuan edhe pjesëmarrës të tjerë, ndërkohë që në prononcimet e mëheshme, Bekim Bajrami drejtor Urbanizmit kishte thënë se ky është masterplani i qytetit ku përfshinë të gjithë sektorët dhe përmbledh në vete kriteret e zhvillimit të përgjithshëm të qytetit. Ka ndërlidhje me komunat fqinje kuptohet dhe pjesë integrale e territorit të Kosovës. Debati do të jetë i hapur  dhe qytetarët do kenë mundësinë të bëhen pjesë e këtij bashkëplanifikimi.

Bajrami kishte thënë se projekti do të jetë i shpalosur në hollim e DUPMM- se dhe gjithnjë stafi do të merret me pranimet, konsultat me të interesuarit. Bajrami tha se po ashtu grupet e bizneseve, prodhuesve e industrialistëve ftohen të japin kontributin për zonimin e hapësirave të nevojshme për veprimtaritë e tyre.

You Might Also Like