Më 14 dhjetor 2019, ora 12:00, në Bibliotekën e Qytetit , e në kuadër të Manifestimit VJESHTA LETRARE E GJILANIT vazhdojmë me veprimtarinë e radhës:
ME POEZINË E HAVZI NELËS – POETIT MARTIR
të cilit iu shua jeta përmes varjes në litar nga diktatura komuniste shqiptare, në agun e demokracisë …
MIRË SE VJEN KOSOVË O MOTËR!
1
Si bilbili ndez prej malli
E dallndyshja n’çerdhe t’vet,
Lodron çika hidhet djali
N’prehën t’nanës që po i pret.
Tue derdh me kangë idhnimin
Që në shekuj si lamsh iu çue
Vëlla e motër s’e mbanë ngashrimin
Shprehin dufin që kurrë s’u shue!
Del një za që mëshon mbi tela
Gjithfarë ngjyrash në lulëzim
Herë i butë herë me urrela
Melodi krejt në shpërthim!
Melodi që zgjon kujtime
Larg ma çon në histori
Sokoloshë, Kosova trime
N’kangë e valle na ka mësy.
Mirë se vjen Kosovë, o motër
Mirë se vjen Kosovë, o nanë,
Gaz e shend na prune n’votër
Mirë se erdhe në këto anë!
Ulu n’vend ku ndej Skënderi
E na fol me gjuhë të t’parëve
Me gjuhë t’ambël si sheqeri
Trego t’bamet e baballarëve!
***
2
“U ngrejt Peja e kuvendit
Haxhi Zeka u ka pri
Fjalë u çon kreshnikëve t’vendit
“Me nis luftën me Turqi!”
Del Rugova dalngadalë,
Po ban dert, po ban pleqni
“N’kambë o burra tanë nji fjalë
Sot me vdekë për Shqiptari!”
Del Gjakova heroike
Po ban luftë me pashallarë
Me sharki me kangë kreshnike
Sula i Vokshit po qet zjarr!
Ali Ibra me malsinë
Mic Sokoli drejt në top!
Kush s’e njeh Col Delinë?!
Me gjak turku ai s’u ngop.
Del Prizreni “Bes’ e madhe”
Me Ymerin burrë mentar
N’kang e valle si sorkadhe
Si zambak kur çelë n’behar!
Del or del Plavë e Gucia
Jakup Ferri “Sharapnel!
Me gjoks luanësh u mbrojt liria
Me lufta t’rrepta shqiptari s’u vel!
Me furi Luani Detit
E çan Bunën mes për mes
Ulçinaku valë tërmetit
Me gjuhë shqipe na ka ndez!
3
N’Vuçiternë Hasan Prishtina
qiti pushkë e lëshoi kushtrimin
Tanë Kosova u vesh n’martina
Shqiptarisë ia banë zgjimin.
Mitrovica Isa Begun
Lumja nana për at’ djalë
Si t’kish lind vet Skënderbegun
Gjith Shqipnisë zzot i ka dalë!
Del Gjilani me Seferin
Me djem t’vet si vetëtima
N’Kaçanik e preu asqerin
Tue vra turq iu dogj martina!
Trim mbi trima Bajram Curri
Rrufeshkabë e Malësisë
I çau malet s’iu mbajt turri
U ba vorr i Osmanllisë!
Doli Dibra bubbullima
Me kangë luftnash shekullore
Del Ilazi me ushtima
Duke shkrep përmbi taborre!
Del Tetova, Gostivari
Vlla e motër dorë për dorë
Me trimni me besë shqiptari
Porsi lum me valë shkëmbore!
Del Drenica tue ça retë
Vetëtimë Shote Galica!
Gjuen Azemi lëshon rrufetë
Janë tmerrue Krajl e Krajlica!
Del Prishtina nuse zojë
Po mbjell dijen vend për vend
Shqiptarizmën ka në gojë
Gjithë Kosovës i vu rend.
4
Vra e therë në flakë përcllue
Ditë për ditë betejë e gjamë
Fise krejt, katunde shue
Të ramit grumbuj, kreshnikë të tanë!
Burra pleq, fëmijë e gra
Gjallë në dhe në vorr kanë hy
Të tjerë nuk dihen, askush s’i pa
Mishtë ua shkoqen orlat e zi!
E mbetën nanat si qyqe n’votër
Nuse t’reja gji thatë, të veja
Vogëlushë jetimë, pa vlla, pa motër
T’fejume çikat vranue si reja!
5
Kështu n’shekuj për tokë t’vet
Bijtë e saj i bekoi nana
Nuk i shtroi Sulltan as mbret
Gjaku i shqipes rrodh me shtama!
Porsi yje në qiell u lëshuen
Duke u djegë si meteorë
Një palë binin, të tjerë u çuen
Dritë iu banë kombit arbnor!
E n’për oda vlonte kanga
Tue ndihmue me grykë t’alltisë
Në gjergjef mësue nga nana
Çikat shkabën kanë qëndisë!
Betej e kangë si dy binjak,
Si n’Iliadën e Homerit
Heroizmi kurrë s’u mplak,
Prej të parëve der tek t’lemit.
N’çdo votër kosovare
Si n’legjenda t’historisë
Gurra e trimënisë shqiptare
Rrodh n’për telat e sharkisë.
Heronj t’rinj të luftës Trojës
Sa Akila e Hektorë
Ti Kosovë, kështjellë e mbrojes
Për Shqipni je ba therorë!
Korrik, 1977
P.s
Fotografia – një ditë para varjes në litar, më 9 gusht 1988