Gjilan

Projekti i impiantit të ujërave të zeza mund të jetësohet brenda tri vitesh, banorët janë skeptikë

Gjilan – Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ku është debatuar për impiantin e ujërave te zeza në Anamoraë dhe shpronësimet e tokave u tha se ky projekt mund të realizohet përgjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025. Riad Rashiti drejtor për buxhet dhe financa tha se kostoja e këtij projekti arrin në 24 milion euro dhe financohet nga Banka Botërore.

Banka Botërore pritet të financojë një projekt në vlerë prej 24 milion eurove që do të shfrytëzohen për ndërtimin e një impianti në rajonin e Anamoravës.

Riad Rashiti drejtor për buxhet dhe financa tha në këtë debat se tashmë fondi është i siguruar dhe mjetet janë ndarë në periudha të ndryshme vjetore. “Edhe çështja e fundit që lidhet me shpronësimet ka përfunduar sepse janë ndarë 650 mijë euro buxhet vetëm për këtë pjesë. Normalisht nëse ka ndryshime të kostos ose vendime gjyqësore Komuna është përgjegjëse dhe i merr obligimet financiare” tha Rashiti.

Rashiti u tha banorëve të Malishevës dhe Uglarit se është i sigurt se ky projekt do të nisë qysh në fillim të vitit 2023. “Të gjithë ju që keni pakënaqësi rreth shpronësimeve duhet ti adresoheni Gjykatave, të cilat marrin vendime gjyqësore e të cilat komuna është e obliguar ti zbatojë” tha Rashiti.

Latif Maliqi këshilltar komunal dhe kryetar i fshatit Malishevë tha se ky fshat më së shumti atakohet nga ujërat e zeza.”Në Malishevë po realizohet një lloj kanceri në heshtje dhe unë dyshojë se edhe nga kjo qeverisje komunale nuk ka me pasur rezultat implementimi i këtij projekti jetik për ne” tha Maliqi.

Maliqi tha se ideja dhe propozimi për impiantin ekziston qysh nga viti 2020.

Ramiz Isufi përfaqësues i fshatit Uglar tha se impianti realisht nuk i përshtatet fshatit Uglar dhe më e keqja është se ka shumë pakënaqësi rreth çmimit të shpronësimit. “Me Uglarin po eksperimentohet njëherë me deponin e mbeturinave dhe tash edhe me impiantin e ujërave të zeza. Do ta kundërshtojmë në të gjitha instancat çmimin e shpronësimit sepse është qesharake. Nga një tokë pjellore dhe e punueshme Uglari është shndërruar në një fshat horror ku gjithçka është e kontaminuar” tha Isufi.

Isufi tha se me këtë projekt po dëmtohet toka pjellore kurse kompensimi është minimal.”Uglari kësaj radhe nuk do të hesht, por do të flet dhe do të kërkojë të drejtat dhe kërkesat reale” tha Isufi.

Austriaku Gerhard Dummer nga “Eco – higjiena” ka dhënë shembuj shumë pozitiv dhe inkurajues të funksionimit të impiantit.”Mos keni frikë nga impianti sepse në Austri s`ka fshat e qytet që nuk kanë impiante. Me ndërtimin e impiantit jeta juaj ndryshon sepse eliminohen ujërat e zeza dhe kundërmimi Nëse menaxhohet mirë me impiantin atëherë edhe uji do të jetë i pastër dhe tokat do të jenë të punueshme” tha ai.

Selver Lenjani nga Karaqeva tha se edhe ky rajon ka probleme me ujërat e zeza po as Qeveria e as Komuna, asnjëherë nuk janë marr me këto probleme.

Banorët e Uglarit Remzi Murtezi, Sadri Halimi e Tefik Ramadani thanë se Komuna dhe Qeveria duhet të mendojë për një çmim të arsyeshëm dhe ankesa të jetë e përgjithshme dhe jo individuale.

“Ne kemi dhënë shumë mjete financiare për të bartur pronat dhe kemi shpenzuar pagesa nëpër Gjykata dhe në fund nuk po mund as t`i mbulojmë shpenzimet” tha Murtezi.

Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se Uglari ka humbur tokën më të mirë pjellore për shkak të deponisë dhe ujërave të zeza.

You Might Also Like