Gjilan

Rruga e një refugjati kosovar

 Shkruan: Ilmi Musliu

Ilir Mustafa nga Gjilani shkoi si refugjat në Francë, ku fillimisht përfundoi në burg, por shumë shpejt arriti të hyjë në Këshillin e Evropës, për të qenë një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kosovë.
———————

Kosovari Ilir Mustafa është personazh i pazakontë për atë që ka bërë. I tillë konsiderohet edhe në Francë, ku për refugjatin kosovar është bërë edhe një film dokumentar. Në Francë, ky hyri si emigrant dhe më vonë arriti t`i hap edhe dyert e Këshillit të Evropës, Iliri i dha një kontribut të madh çështjes së Kosovës. Së pari ai u bë i njohur duke refuzuar dëbimin nga ky shtet dhe më vonë për Diplomën Evropiane që i solli qytetit të tij, Gjilanit. Në fillim të vitit 1996, Mustafa kërkohet nga policia serbe, për shkak të aktivitetit të tij politik e patriotik në Kosovë, për çka ai vendosi të ik në Gjermani, ku kapet nga policia dhe kthehet në Francë, vendin nga kishte hyrë në territorin gjerman. Autoritetet franceze vendosen ta depërtojnë në Kosovë Ilirin, por ai rezistoi fort kur mori vesh se rruga e tij do të kalonte nëpër Beograd. Ai e dinte se ishte i kërkuar nga policia serbe në Kosovë dhe do të arrestohej sapo të mbërrinte në Beograd. Të njëjtën gjë e bëri edhe herën e dytë. “Duke më parë se po rezistoja kthimin, edhe piloti kundërshtoi që të futesha në aeroplan”, rrëfen Mustafa. Sërish e kthyen në qendrën e ndalimit, duke pritur që ta depërtojnë nëpërmjet Shkupit.

Francezët dolën në mbrojtje të Mustafës

Kthesa ndodhi në rigjykimin e tretë të rastit të tij, që kishte tërhequr vëmendjen edhe të mediave vendëse dhe asociacioneve që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të refugjatëve. Kosovari e shfrytëzoi këtë rast dhe foli për të drejtat e shqiptarëve në atdheun e tij, ku ato po shkeleshin në mënyrë më të vrazhdë. Gjykata vendosi ta dënojë me tre muaj burgim për hyrje ilegale në Francë, duke i shtuar dënimin plotësues për depërtim në Kosovë. Duke mos u pajtuar me këtë vendim të gjyqit, Mustafa hyri në grevë urie, duke fituar përkrahjen e shoqatave humanitare. U organizua edhe nënshkrimi i një peticioni për lirimin e tij nga burgu. Më aktivja ishte Shoqata për Lëvizje Paqësore MAN, që bënte presion për lirimin e tij dhe arriti ta nxjerr kosovarin prej paraburgimit dhe e vendosën në një qendër të të rinjve. U bllokua edhe ndërtesa e prefekturës, kurse vetëm pas një presioni të madh, atij iu kthye një përgjigje pozitive për qëndrim në Francë. Bashkë me Zhan Iv Karlenin, Zhoel Erhartin, Stev Dyshenin dhe anëtarë të tjerë të MAN-it, nisën një aktivitet të përbashkët lobues për çështjen e Kosovës. Më 1996, francezët erdhën në Kosovë dhe ndërmorën nismën për binjakëzimin e Lyterbahut me Gjilanin, ku është vendlindja e Mustafës. U mbajtën edhe demonstrata në Francë, para Këshillit të Evropës, ku ndër të tjera u kërkua që Jugosllavia të përjashtohej nga Kampionati Botëror 1998 që po mbahej në Francë. Autoritetet jugosllave reaguan duke i shpallur persona “non grata” francezët e Ilirit.

E ndryshoi opinionin francez për Kosovën

Rasti i Ilirit bëri që opinioni francez të interesohet më shumë për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë. Në Francë u shkruan dy libra për gjendjen në Kosovë, u mbajtën 93 konferenca dhe debate publike, u botuan mbi 100 artikuj nëpër gazeta, intervista në TV, radio emisione e dokumentare. MAN nuk e ndali aktivitetin edhe gjatë luftës. Pritën refugjatë, organizuan ndihma për Kosovë, kurse pas luftës ndërmjetësuan që Kosova të jetë e pranishme në Këshillin e Evropës, në Kongresin e Pushteteve Lokale, organizuan vizita të kryetarëve të komunave. Ndihmuan në rregullimin e çerdhes së fëmijëve në Gjilan, Qendrës Socio Kulturore “Francë – Kosovë”, hapjen e Zyrës së Agjensionit për Demokraci Lokale në Gjilan dhe shumë aktivitete të tjera.

Çfarë mund të bënte të bënte më tepër një refugjat për vendin e tij se sa kaq.

You Might Also Like