Gjilan, 15 shtator 2018
Sa bukur tingëllon fjala mësues! Mësues i popullit, mësuesi i qytetit, fshatit etj. Krejt populli dhe shkollarët i kanë sytë kah mësuesi. Mësuesi është njeriu i shenjtë i popullit. Ky njeri i shenjtë ka edukuar me qindra e mijëra njerëz të profesioneve të ndryshme. Andaj, mësuesi e ka vendin në krye të “kuvendit”. Ai është i lidhur me fatin e popullit. Shkolla shqipe e ka fatin e shkruar me gjakun e mësuesve tanë dëshmorë. S’ka detyrë më të shenjtë se e mësuesit. Mësuesi, ka shtuar për vete: “100 vjet po të jetoja, do të doja të jem mësues”! Edhe Sabit Zymberi, qytetar nga Gjilani, ishte mësues i kohërave. Ai punoi në vitet 1949. Kohë e hershme. Kohë e dhimbshme, por edhe krenare.
E dhimbshme, për faktin se, kushtet kur punoi Sabiti, ishin tejet të rënda e me përcjellje. Por, krenare, për fakti se, secili mësues shqiptar punoi për ta zgjuar popullin prej gjumit dhe injorancës. Mësuesit tanë, dje, bërë udhëtime të largëta në këmbë e me skamje. Edhe pas kësaj “gjendjeje”, ata e mbajtën “gjallë” të qenunit e shkollës kombëtare shqipe. Puna (vepra) e tyre është më e gjatë se vetë jeta. Andaj, puna (vepra) e mësuesve tanë s’harrohet kurrë. Ajo mbetet e pavdekshme.
E tillë ishte puna edhe e Sabit Zymberit, mësues nga Gjilani, tash i ndjerë. Sabit Zymberi, vdiq në moshën 85- vjeçare. Vdiq dhe vepra e tij nuk do të duhej të harrohej. Ai ishte mësues i merituar i popullit. Ishte shembull i rrallë i jetës me ditar në dorë. Kur na rastisi momenti dhe koha, e vizituam për një bisedë rasti. Ai pa hezitim na rrëfeu për kohën e kaluar të tij. Ai na priti me “bukë e kripë e zemër”. E populli thotë: “Miku i mirë, e ka zemrën e madhe”. U gjendem te ai një ditë pasdite të muajit nëntor (2014). Na priti me zemër të ngrohtë. Deshëm dhe e zhvilluam një bisedë rasti, por të frytshme dhe me interes. Ai nuk hezitoi t’na rrëfejë çka ne e pyesnim.
Dihet se, Sabit Zymberi është i lindur më 1933 në Gjilan. Tash e 85 vjet më parë. Kohë, gati një shekull jetë. Mësuam se ai është njohës i mirë i qytetit, Gjilanit. Ai ka jetuar në një shtëpi afër Sahat Kullës së re të qytetit. Ishte dita e 15 nëntorit kur u gjendem te Sabit Zymberi, mësues, vdiq më 10 shtator 2018. Mungesa e tij ndjehet më së shumti në familje, por edhe tek miqtë dhe koletët e tij. Ishte njeri me shumë profesione.
Ai, si 16-vjeçar e mori ditarin e punës si mësues në fshatin Myçibabë. Atë kohë, mungonin mësuesit e parë në Kosovë dhe, shumë mësues i lindi “natyra” të jenë të tillë të aftë që të rrokin ditarin e të jenë para shkollarëve. Pushtetarët e asaj kohe e detyruan Sabitin që të punojë si mësues në fshatin Myçibabë. Ky vend ishte larg nga qendra e vendbanimit të tij, Gjilanit. “Po, u thash, – po shkoj, por ky vend është larg nga qendra ku jetoj”. Sabiti e
ndjente vetën jo aq të përgatitur. Atë kohë, ai ishte fare i vogël, 16-vjeçar. Thotë se krejt lojën dhe punët tjera i ka bërë në oborrin e objektit të Gjimnazit të Vjetër. Sabit Zymberi, para 82 vjetësh filloi të punojë si mësues. E filloi punën për herë të parë si mësues në fshatin Muçibabë, fshat larg qendrës së Gjilanit. Në këtë vend punoi vetëm një vjet. Aty e kishte takuar Bajram Shabanin, mësues nga fshati Zhegër. Ka udhëtuar çdo ditë në këmbë nga Gjilani gjer në Myçibabë. “Po, tha mësuesi Sabit, -pas një viti, më transferuan në fshatin Llashticë. Këtu kam punuar dhe kam qëndruar gjashtë muaj në odën e Bejtë Llutës. Nuk e harroj kurrë për së gjalli xha Bejtën, i cili çdo herë na ka pritur mirë me bukë e me sende tjera. Ky qytetar i Llashticës na ka dashur e na ka nderuar shumë. Na ka dhënë ushqim. Ka qenë arsimdashës i madh i këtij lokaliteti”.
Ja si na pati rrëfyer Sabit Zymberi sa ishte gjallë në shtëpinë e tij: “Po, isha mësues në këtë fshat gjatë vitit 1951. Fillova të falem në xhami. Fshatarët më doni dhe më kanë resepktuar. Doja t’ju hy në hatër që t’ua kthejë mendjen fshatarëve për t’i quar fëmijët në shkollë. U flisja se pa shkollë nuk ka jetë. Shkolla të jep dritë. Më kuptuan. Por, së shpejti këto “lajme” i shkuarn shefit të arsimit, Can Periqit. Më ftuan. U gjenda para Canes. Më pyeti, çfarë mësuesi je kur shkon edhe të falesh në xham? O mësues ose në shtëpi! Canes iu drejtova: “Edhe po të ishit edhe ju në vendin tim, ku unë punoj, do të kishe shkuar në xhami. S’bën ndryshe. Kështu e do populli ynë”. Ai pak u mendua dhe më tha” vazhdo e puno. Ke të drejtë, më tha Can Periqi, zyrtar i arsimit të asaj kohe në Gjilan”.
Kjo ishte detyra ime e parë e punës si mësues në këtë fshat malor të Malësisë së Karadakut. Edhe një rast dua t’ju tregoj se, kur fillova të punoj në Myçibabë, nuk pati dërrasë të zezë. Morra disa kg çaxh të zezë dhe shumë ve. I përziva në një enë. E morra detën e mësonjëtores dhe e lyejta me këtë “ngjyrë”. Ajo u bë e zezë. Derën e kemi bërë dërrasë për të shkruar ne dhe nxënësit e kësaj shkolle fshati. Në vend të shkumësit, kemi përdorur gurë gëlqeorë. Kështu ka qenë fillimi i punës arsimore në një kohë të hershme. Nuk ka qenë lehtë, por punën e kemi bërë me vullnet. Këtu, në Muçibabë, kam punuar gjatë vitit 1951/52. U tregova punëtori i mirë dhe i zellshëm. Pas një viti, më shpërngulen nga ky mes dhe më “avancuan” duke punuar në Llashticë. Para meje kishte punuar tri vjet Sylejman Osmani, mësues. Ky kishte qenë inspektor i asaj kohë dhe ka ngrënë tri vjet bukë te Bejtë Lluta.
Atë kohë, shkolla e këtij lokaliteti ka punuar në oborrin e xhamisë së këtij fshati. Puna është zhvilluar me klasa të kombinuara: klasa e parë me të tretën dhe e dyta me të katërtën. Puna është bërë pas dite. Shkolla, ku mbanim mësim, aty afër punonte një farkatar, i cili jetonte nga puna e tij. Por, për mungesë të lokalit shkollor, i cili ishte fort i vogël për t’i zënë shkollarët e këtij lokaliteti, zoti i shtëpisë është detyruar t’ia mbyllin lokalin farkatarit për t’i hapur edhe dy klasa të tjera për shkollarë. Ndërkohë, aty na erdhi mësues një Emrush Bejta. Ai ia nisi punës, por, pas pak kohe, pushteti e ka marrë dhe e kanë mbyllur në burg, se ka bashkëpunuar me një organizatë ilegale.
Mua më quan të punoj si mësues në shkollën e fshatit Pogragjë. Gjer në Pogragjë kam udhëtuar herë në këmbë e herë me biçikletë. Rruga ka qenë matanë Moravës. Unë mbeta vetëm. Përsëri mua më quan në Livoç të Ulët. Aty kam takuar me mësuesin Ilaz Jasharin nga fshati Nasalë e Gjilanit. Kjo kohë ka qenë 1952/53. Pas kësaj kohe jam shkuar të punoj në Maribor të Sllovenisë. Kur u ktheva, bëra një kërkesë të punoj si mësues në Gjilan. Drejtoria e Arsimit më pati caktuar përsëri në Livoç të Ulët. U pendova pse nuk shkova aty ku kisha punuar përpara. Shkova të ankohem në zyrën e Arsimit. Por, ata e kishin caktuar një tjetër mësues të punon në vend timin.
Shef i Arsimit, atë kohë, për komunën e Gjilanit, ka qenë Can Periqi. Unë u ankova dhe u thash se qysh u bë në vendin tim të punojë dikush tjetër. Cana më tha se, sa të jem unë këtu nuk mundesh të punosh t`i në procesin e arsimit. S’dita çka të bëj tjetër, por ndërrova profesionin e jetës. Ia nisa të punoj si zdrukthëtar. E kisha të blerë këtë zanat prej babës tim, i cili edhe më parë e ka punuar këtë punë. Papritur erdhi një “kurir” nga zyra e Arsimit dhe më ka qu te Cana Periqi, shefi i Arsimit për komunën e Gjilanit. Kur erdhi Cana, mu afrue e deshi të më bind që të shkoj e të punojë në Përlepnicë si mësues. Pra, ishte viti 1955. Në këtë vit kam filluar të punoj në Përlepnicë me klasën e V-të ku kam dhënë lëndët: punëdore, fizikë, vizatim dhe bujqësi. E kisha problem bujqësinë, sepse asgjë nuk kisha të përbashkët. E kisha një libër serbisht dhe atë e kam përkthyer për të dhënë mësim. Ishin këto vite 1955/56. Këtu jam takuar me Ilaz Jasharin, nga Nasala e me Ismajl Kadriun, mësues nga Zhegra e Gjilanit. Siç dihet, Ilazin e patën shpërngulur nga fshati Përlepnica në Livoç”.
E, Sabit Zymberi, qytetar gjilanas, tash i ndjerë, më vonë ka punuar në Objektin e ish -Teknikës Popullore, objekt ky që gjendet në rrugën “Adem Jashari”, përballë postës së sotme, të Gjilanit. Në këtë objekt janë zhvilluar disa aktivitete të shoqatave të qytetit. Gjatë viteve 1960 – 1970 këtu kanë vepruar: Shoqata e Gjuetarëve, e Kryqit të Kuq, e Auto Motos, Shoqata e Radioamatorëve, Shoqata e Fotografëve etj.
Në vitin 1960 në këtë objekt është vendosur televizori i parë që është shikuar nga ballkoni nga ana e qytetarëve. Në vitin 1971 për herë të parë filloi transmetimi provues i Radio Gjilanit.
Më 12 shkurt 1965 objekti është djegur dhe kanë mbetur vetëm muret e jashtme. Objekti është rinovuar në vitin 1968. Sabit Zymberi, gjer para pak kohe, ka punuar në këtë objekt të Teknikës Popullore. Tash ky mësues na mungon, por vepra e tij madhëron e shkëlqen si rreze drite kudo në arsimint shqip.
Ky mësues i popullit, që na mungon, posedon shumë fotografi të vjetra për qytetin dhe për njerëzit e kësaj ane të Anamoravës së Gjilanit. Ishte ky Sabit Zymberi, mësues i kohërave, i cili vdqi, më 10 shtator të këtij viti (2018).Lavdi veprës së tij të shenjtë!/Tefik Selimi