Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, zyrtarisht i është drejtuar kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, duke kërkuar që shtatorja e Idriz Seferit të ngritët edhe në Prishtinë.
Blerim Haziri, kryetar i kësaj dege, ka theksuar se Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Gjilan, nga mbledhja e realizuar më 7 tetor 2016, njëzëri kanë vendosur t’i drejtohen Shpend Ahmetiti me këtë kërkesë zyrtare për ngritjen e një shtatore të heroit të kombit, Idriz Seferi, në hyrje të qytetit të Prishtinës.
Në arsyetimin e kësaj lidhje është thënë se rrethina e Prishtinës, si njësi e njohur administrative në procese historike, në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare zë një vend mjaft të rëndësishëm. Ky territor verilindor i viseve shqiptare ka qenë pjesë e pandashme dhe rrugëkalim i përpjekjeve dhe lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare, që në çdo kohë ka qëndruar në ballë të detyrës kombëtare, duke i dhënë atdheut bijë dhe bija që vunë zemrat e tyre në altarin e lirisë. Njëri ndër udhëheqësit kryesor që organizoi luftën e popullit për çlirimin dhe mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit osmanë, serbë, bullgarë etj., dhe bashkimin e viseve shqiptare në një shtet kombëtar, ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi.
Idriz Seferi u lind në mars të vitit 1847 në fshatin malor Sefer, në një familje me tradita patriotike. Ishte bashkëluftëtar dhe prijës i tri gjeneratave luftëtarësh të viseve liridashëse e luftarake të malësisë së Karadakut, të Moravës, të Gollakut dhe të Vardarit. Meqë mungonin shkollat në gjuhën shqipe si pasojë e sunduesit të kohës, mësimet e para i bëri në odën e burrave dhe aty u kalit në frymën kombëtare. Që në moshën 13 vjeçare ai luftoi kundër çetave terroriste serbe e bullgare, ndaj qëllimeve të të cilave nuk mund të pajtohej në asnjë mënyrë. Kundërshtoi dhe luftoi autoritetet lokale osmane dhe, si krah i fuqishëm në vijën e parë të rrezikut, u tregua mjaft aktiv në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjes Shqiptare të Pejës. Idriz Seferi në korrik të vitit 1907 mori pjesë në asgjësimin e çetës komite serbe të Pasjanit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk. Pas këtij Revolucioni, Idriz Seferi dha ndihmesë të çmuar në emancipimin kombëtar të arsimit dhe shkollës shqipe kudo në vise të tjera të Vilajetit të Kosovës.
Politika demagogjike, obskurantiste dhe reaksionare xhonturke, në kauzalitetin e situatës dhe rrethanave nëpër të cilat po kalonin shqiptarët, diktonte në esencë nevojën e autonomisë territoriale dhe administrative të Shqipërisë. Ky program u proklamua jo si doktrinë e vetme e platformës së Rilindjes, por si komponentë e përkohshme dhe e hartuar në simetri me aktualitetin e përgjithshëm shqiptar, ballkanik e më gjerë. Për realizimin e kësaj platforme politike kombëtare, Idriz Seferi jo rastësisht u gjend në krye të udhëheqjes popullore në kryengritjet kundërosmane të viteve 1910 dhe 1912. Në aktivitetin e tij patriotik spikat veçanërisht Beteja e Kaçanikut në Kryengritjen e vitit 1910, ku dolën në pah cilësitë e rralla të karakterit të tij dhe aftësitë drejtuese luftarake, kurse në Kryengritjen e vitit 1912 ishte ndër drejtuesit kryesorë.
Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, Idriz Seferi luftoi heroikisht në mbrojtje të trupit të atdheut. Pas Pavarësisë së Shqipërisë në kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të shtyrë, ai nuk pushoi së rezistuari e luftuari pushtuesit serbë e bullgarë. Në ditët e fundit të jetës, Idriz Seferi do të shprehej: “Nuk paska ma vështirë për burrin se sa me vdekë në shtëpi”. Kështu, drejtuesi dhe strategu i kryengritjeve për liri dhe pavarësi kombëtare, ndërroi jetë në moshën 80 vjeçare, në mars të vitit 1927, në fshatin Zhegër, ku edhe u varros.
I nderuar Z. Kryetar,
Për sa u tha më sipër, figurat kryesore të kombit si Hasan Prishtina, Bajram Curri e Isa Boletini, me të cilat Idriz Seferi punoi dhe veproi vazhdimisht me respekt e përkushtim, tashmë kanë shtatoret e tyre jo vetëm në qytete të Kosovës, por edhe të Shqipërisë e viseve të tjera shqiptare.
Më 25 mars 2017 shënohet 90-vjetori i vdekjes së Idriz Seferit, prandaj me rastin e këtij viti jubilar vlerësojmë se atij meriton t’i ngrihet një shtatore në sheshin “Idriz Seferi” në hyrje të Prishtinës. Kërkojmë nga ju të ndërmerrni të gjitha veprimet e duhura që kërkesa jonë profesionale dhe kombëtare të realizohet praktikisht, për ç’gjë jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunimin tonë në çdo kohë.