Shënohet Dita Botërore e Fëmijëve në Gjilan, kërkohet që çdo fëmijë të gëzon të drejtat e tyre
Edhe në Gjilan, është shënuar Dita Botërore e Fëmijëve nga sektori për të Drejtat e Njeriut, në Komunën e Gjilanit bashkë me Asamblenë e Fëmijëve.
Fëmijët nëpërmjet aktiviteteve kanë ngritur zërin e tyre, në kujtim të miratimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.
Udhëheqësi i sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitet në Komunën e Gjilanit, Ardian Foniqi, tha se së bashku me Asamblenë e Fëmijëve, shënuam me krenari 20 Nëntorin – Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve.
“Ky aktivitet është një moment i rëndësishëm për të përcjellë një mesazh të fuqishëm për barazi, dashuri dhe solidaritet, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve si themel i një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Foniqi.
Ai shtoi se përmes një programi artistik të përgatitur me përkushtim dhe kreativitet, u krijua një atmosferë unike, ku emocionet dhe mesazhet reflektuese u përcollën me ndjeshmëri dhe pasion.
“Ky aktivitet na rikujtoi detyrimin tonë të përbashkët për të mbështetur dhe fuqizuar çdo fëmijë.
Me mirënjohje të thellë, falënderojmë të gjithë ata që kontribuan në këtë ngjarje të veçantë, përfshirë nxënësit, profesoreshat dhe drejtuesit e Shkollës së Muzikës, për përkushtimin dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm”, tha Foniqi.
Udhëheqësi i sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitet në Komunën e Gjilanit, theksoi se së bashku, do të vazhdojnë përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri ku çdo fëmijë gëzon të drejtat, mundësitë dhe mbështetjen që meriton për një të ardhme më të ndritur.