Shfaqja “Lule Sajza” nga Shqipëria, një teatër dokumentar, solli historitë e të vërtetat e përjetimeve në kampin e Tepelenës. “Lule Sajza” është titulli i shfaqjes me pjesë të inkorporuara dokumentare, apo përshkruese narrative nga aktoret e teatrit “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, i cili titull simbolizon fatin tragjik të një vajze të vogël, apo një lule që nuk mbiu asnjëherë!
Ndryshe, “Lule Sajza” u shfaq në Teatrin e Gjilanit në natën e pestë të festivalit të dramës “Talia e Flakës 2025”, duke hyrë me automatizëm në garë për ndonjërin nga çmimet tradicionale të parapara nga organizatori nikoqir i “Flakës…”. Periudha komuniste e pas luftës së dytë botërore në Shqipëri është përshkruajtur e trishtë për gati gjysmë shekulli përmes rrëfimeve e ngjarjeve tronditëse.
Diktatura në kuptimin gjuhësor i atribuohet një pushteti të dhunshëm e të pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e sunduesve, e që në Shqipëri zgjati mbi 45 vite, me tortura e dhunime të ndryshme, deri në internim të shumë personaliteteve të të gjitha moshave dhe gjinive.
E veçcanta tjetër e këtij lloji të teatrit është tek pasqyrimet e dokumentarizuara, që si mënyrë e realizimit nuk është parë ndonjëherë më parë, ndaj mund të konsiderohet risi. Për të qenë shfaqja plotësisht e besueshme, regjisori ka vendosur në skenë simbolikën e një varri, mbi të cilën përpëliten fate tragjike të personazheve të ndryshme të të dyja gjinive, e njherit të moshave të ndryshme. Ato personazhe i gjejmë të internuara në një kamp të frikshëm përqëndrimi, të ngjashëm me kampet që i hasim në letërsinë ruse, apo tek “Krimi e Dënimi”, gjegjësisht tek figura e Raskolnikovit, personazhit të Destojevskit.
Shfaqja vijon me tregime e dëshmi autentike të dhunës sistematike, për ç’gjë janë kujdesur aktoret Rajmonda Bulku e Adriana Tolka si dhe Valentina Meteveli. Shfaqja arrinë kulmin dramatik kur në skenë paraqitet një nga të mbijeturit e atyre kampeve të frikshme, i cili sqaron fill e për pe fatin e tij përgjatë periudhës 40-vjeçare që kishte kaluar në burgjet e tmerrshme, si i internuar. Prerformanca e aktores Valentina Meteveli mbi varrin e paraqitur në skenë, bënte përshtypje të jashtëzakonshme, duke mbajtur të gjallë kërshërinë e publikut, pasi kishte aq shumë dramë brenda asaj performance që manifestohej me përpëlitje të saj mbi varr.
Sipas përshkrimit kjo është shfaqja e parë e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” që realizohet si premierë e këtij lloji, në formë të teatrit dokumentar. Ajo sjell dëshmi të të mbijetuarve të kampit të Tepelenës, ndërsa ka për strukturë historitë personale që nga momenti i bastisjes nga shtëpitë, te vendosja në kampin e Beratit dhe, më pas, në atë më famkeqin, burgun e Tepelenës, që njihej si kampi më famkeq.
Shfaqja Lule Sejza është prodhim i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, me regji nga Endrit Çela. Interpretuan: Rajmonda Bulku, Adriana Tolka dhe Valentina Myteveli Festivali i dramës “Talia e Flakës 2025” tanimë ka hyrë në fazën përfundimtare kur kanë mbetur edhe dy shfaqje për t’u prezantuar e për të plotësuar numrin prej 7 shfaqjeve të parapara këtë vit në “”Talia e Flakës 2025”.
Të hënën, më 27 janar, para dashamirëve të artit gjilanas do të paraqitet teatri “Bekim Fehmiu” nga Prizreni, me shfaqjen “Krejona” kurse në fund mysafire do të jetë shfaqja “Jam unë ajo”, nga postproduksioni “Bon” me tekst të Valmira Thaqi dhe Diturije Neziraj.