Shkolla “Liria” në Pogragjë përfiton 10 laptopë falë mbështetjes së Celonis Labs GmbH, Gjermani.
Me një ndjenjë të veçantë mirënjohjeje, Shkolla Fillore “Liria” në Pogragjë shpreh falënderimet më të sinqerta për kompaninë Celonis Labs GmbH, me seli në Mynih, Gjermani, për donacionin e 10 laptopëve, të dedikuar për mbështetjen dhe avancimin e procesit edukativo-arsimor në shkollën tonë.
Ky donacion paraqet një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e aftësive digjitale të nxënësve, përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie, zhvillimin e programimit, fushave STEM dhe krijimin e kushteve më të mira për mësim dhe punë në shkollën tonë.

Ky gjest ka një domethënie të veçantë për komunitetin tonë, pasi iniciatori i këtij donacioni është bashkëvendësi ynë Admir Jashari, ish-nxënës i Shkollës Fillore “Liria”, i cili, përmes angazhimit të tij në Celonis Labs GmbH, mundësoi realizimin e këtij donacioni.
Kontributi i tij është një shembull frymëzues se suksesi profesional mund të shoqërohet me përgjegjësi shoqërore, përkushtim dhe dashuri për vendlindjen dhe shkollën ku u hodhën hapat e parë të dijes.
Një falënderim i veçantë i drejtohet edhe Ismet Jasharit, për kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e tij në këtë proces, deri në dorëzimin e laptopëve në shkollën tonë. Gatishmëria e tij për të ndihmuar dhe për të qenë pjesë e këtij realizimi është një vlerë e çmuar për shkollën dhe komunitetin tonë.
Në emër të nxënësve, mësimdhënësve, stafit dhe gjithë komunitetit të Shkollës Fillore “Liria”, shprehim mirënjohjen më të thellë për Celonis Labs GmbH, një falënderim të veçantë për Admir Jasharin për iniciativën dhe angazhimin e tij, si dhe për Ismet Jasharin për kontributin e dhënë në realizimin e këtij donacioni.
Mbështetja për arsimin dhe investimi në teknologji janë investim në të ardhmen.





