ARSIMI

Ka ndërruar jetë Prof. Dr. Nuhi Rexhepi, ish-dekan në Fakultetin e Filologjisë

Prof. Dr. Nuhi Rexhepi, profesor universitar në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe ish-dekan i Fakultetit të Filologjisë, pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë në moshën 84- vjeçare, kanë bërë me dije familjarë të të ndjerit.

Profesori Nuhi Rexhepi, me prejardhje nga Pogragja e Gjilanit, me vite të tëra ka dhënë kontribut të madh për gjuhësinë dhe letërsinë shqipe.

Lindi më 1942 në Pogragjë të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Normalen) në Prishtinë dhe Gjakovë. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe – e kreu në Prishtinë më 1967. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik të Beogradit, kurse doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës në dhjetor të vitit 1995 me temën: ”INTERPRETIMI i LETËRSISË SHQIPE NË TEKSTET SHKOLLORE TË KOSOVËS 1945 – 1990”.

Dr. Nuhi Rexhepi së pari punoi si mësues në vendlindje, arsimtar në Obiliq, si prof. i gjuhës shqipe në Normale dhe SHLP të Gjilanit e më 1972 u zgjodh asistent i lëndës Historia e letërsisë II në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës, mandej ligjërues i kësaj lënde dhe i Metodikës së gjuhës shqipe. Ishte docent në Fakultetin e Filologjisë. Ka qenë edhe prodekan dhe dekan i këtij fakulteti dhe shef i Katedrës së Degës Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës.

Në njoftimin mbi vdekjen e tij është thënë:

Me pikëllim të thellë njoftojmë familjarët, miqtë, kolegët dhe dashamirët se është ndarë nga jeta më i dashuri ynë, Dr. Prof. Nuhi Rexhepi.

Ceremonia e varrimit do të mbahet më 9 korrik 2026, në ora 16:45, në Varrezat e Qytetit të Prishtinës në Arbëri.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i Tij. U prehtë në paqe!

You Might Also Like